Inspektorati i Pejës dështon ta zbulojë shkaktarin e ndotjes së Lumëbardhit

PejëPostuar: 11:16 / 09.10.2018

Inspektorati komunal i Pejës nuk ka arritur ta zbulojë shkaktarin e ndotjes së Lumëbardhit, që ndodhi dy javë më parë, në pjesën në afërsi të tregut të gjelbër në Pejë.

Ditët e fundjavës para dy javësh uji i Lumëbardhit shkumëzonte në pjesën nën tregun e gjelbër nga rrjedha e një gypi pak metra mbi kaskadë, nën të cilën atë ditë shkumëzonte, ku kohë pas kohe dendësia e shkumës arrinte deri në një metër mbi nivelin e ujit, shkruan Koha Ditore.

Drejtori i Inspektoratit Komunal, Leotrim Murtezaj, thotë se bashkë me 3 inspektorë kemi inspektuar tërë zonën te tregu i gjelbër me biznese të shumta, për të gjetur burimin e mundshëm që e bën ndotjen e ujit, mirëpo pavarësisht inspektimit atë ditë nuk kemi mundur ta identifikonin burimin e ndotjes së lumit.

Në atë kanalizim që derdhej në të janë të lidhura objekte të shumta dhe për të zbuluar gjenezën e shkumës Murtezaj pati deklaruar atë ditë se disa mostra uji që dilte nga ai gyp do t’i dërgonin për analiza. “Mirëpo të hënën nuk ka pasur shkumë në ujë. E kemi vëzhguar edhe ditët e tjera, por shkuma nuk është shfaqur më në ujë”, tregon drejtori i Inspektoratit arsyen pse nuk kanë marrë mostër të ujit për analiza.

Ai beson se dikush prej bizneseve në atë pjesë, që e ka shkaktuar atë ndotje, e ka ndaluar derdhjen në lumë pasi e ka parë Inspektoratin që e kishte inspektuar dhe kontrolluar terrenin.