Komuna e Pejës i quan tendencioze konstatimet e Auditorit për pronat me qira
Komuna e Pejës, respektivisht Drejtoria për Çështje Pronësore-Juridike, ka reaguar ndaj Raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, konkretisht për gjetjet e përfshira në këtë raport për pronat komunale të dhëna me qira, duke e vlerësuar atë si tendencioz dhe joprofesional.
Reagimi i kësaj drejtorie, të cilin drejtori i saj, Edmond Shala, ia ka dërguar të enjten “Kohës Ditore”, vjen pas gjeturave të Zyrës Kombëtare të Auditimit, e cila, në raportin e saj të pasqyrave financiare vjetore të Komunës së Pejës për vitin e kaluar, ka ngritur si çështje me rekomandim menaxhimin joadekuat të pronave komunale të dhëna me qira nga Komuna e Pejës, shkruan sot Koha Ditore.
“Gjetja sipas Ligjit 04l/144, dhënia e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim bëhet përmes konkurrencës së hapur publike. Komuna nuk kishte një databazë të saktë dhe të plotë të pronave të dhëna me qira. Na janë ofruar lista të ndryshme, ku njëra kishte 42 prona me qira, kurse tjetra kishte 29 prona me qira. Këto prona ishin dhënë pa ankand me përjashtim të një prone që në vitin 2018 ishte dhënë me ankand. Në tri raste nuk kishte informata në lidhje me kohën e dhënies me qira dhe afatin e skadimit të kontratave”, ka shkruar në raportin e saj Zyra Kombëtare e Auditorit për këtë gjetje.