Lugu i Baranit në Pejë pa ujësjellës e pa kanalizim

PejëPostuar: 15:33 / 27.06.2019

Treva e Lugut të Baranit prej vitesh është në pritje të ndonjë investimi në rrjetin e kanalizimit, si dhe përfundimin e projektit të ujësjellësit i nisur në vitin 2012.

“Ne si trevë e Lugut të Baranit i kemi dy të këqija të mëdha. As nuk kemi kanalizim, e as ujësjellës”, ankohet këshilltari në Kuvendin Komunal të Pejës, Nazmi Krasniqi, nga fshati Çallapek i Lugut të Baranit.

Krasniqi tregon se nga 14 fshatrat e atij Lugu, vetëm dy apo tri fshatra kanë kanalizim, por ujërat e zeza, sipas tij, derdhen në lumë, përroska apo skajeve të tokave, shkruan sot Koha Ditore.

“Fshati Rashiq e ka një kanalizim që është ndërtuar menjëherë pas luftës, me një donacion të huaj, por edhe ai kanalizim nuk është në rregull, sepse del në sipërfaqe dhe shkakton ndotje të tokave. Fshati Baran e ka shtri kanalizimin në vitin 2008, por ka mbetë në gjysmë dhe ai kanalizim derdhet në lumë. Edhe këto dyja e ndotin edhe lumin. Me atë lumë nuk po munden të ujiten kopshtet dhe tokat, sepse janë pa impiante”, thotë Krasniqi.