Shtyllat e vjetruara shkaktojnë probleme me rrymë në fshatrat e Rugovës

PejëPostuar: 11:49 / 12.05.2018

Disa fshatra të Rugovës (Dukaiva, Koshutani, Pepaj, Malaj, Rekë e Allagës), prej 6 muajsh kanë problem në furnizim me energji elektrike, shkaku i shtyllave elektrike të rrëzuara apo të dëmtuara.

Në fshatin Dukaivë, siç tregojnë banorët, nuk ka rrymë që nga muaji nëntor. Shumica e shtyllave elektrike edhe janë dëmtuar dhe rrëzuar, shkruan sot Koha Ditore.

“Në Dukaivë nuk kemi rrymë që nga nëntori i kaluar. Janë diku 20 shtylla që janë rrëzuar. Disa shtylla janë në linjën qendrore të tensionit të lartë e plotë të tjera nëpër fshat. E kam bërë kërkesën qe një muaj në KEDS, por nuk reagon kush prej tyre”, ankohet banori i këtij fshati, Veton Mujaj.

Kjo kërkesë sipas tij nuk është e para që janë duke e bërë banorët në KEDS. Mujaj tregon se ka pasur ankesa dhe kërkesa edhe në nivel të fshatit, por edhe kërkesa individuale për të intervenuar dhe të lëshohet rryma.