Bujqësia dhe ekonomitë familjare të Podujevës pësojnë dëme nga të reshurat

PodujevëPostuar: 13:34 / 04.12.2017

Reshjet e shiut këto ditë kanë shkaktuar dëme materiale në Komunën e Podujevës. Zyrtarët komunalë thonë se tokat bujqësore e ekonomitë familjare janë dëmtuar në disa raste nga këto përmbytje.

Ndërkohë që, ka pasur edhe shembje të dheut e gurëve në rrugën Pollatë-Reçicë të kësaj komune, por që tashmë është hapur rruga, shkruan sot “Koha Ditore”..

Drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, thotë se tashti situata është më stabile, ndërsa nga spt do të fillojnë të bëjnë edhe vlerësimin e këtyre dëmeve. Megjithatë, pak shpresa ka se të dëmtuarve do t’u dilet në ndihmë.

“Vërshime kryesisht ka pasur në fshatin Lupç, ku lumi i Kaçandollit te lagjja ‘Kaçiu’ ka dalë nga shtrati dhe uji ka depërtuar edhe në oborre të shtëpive, por më shumë në tokat bujqësore.

Në fshatin Shtedim, në një lagje ka pasur grumbullim të ujit që ka dalë nga lumi i Dumnicës.

Eventualisht, ka pasur ndonjë kanalizim fekal diku që ka pasur ngarkesë më shumë, kanë qenë diku 2-3 intervenime në Peran dhe ku ka pasur kërkesa, po jo shumë të theksuara”, ka thënë Muçiqi.

“Niveli i ujit, sidomos në Llap ka qenë bukur i madh, posaçërisht nga pjesa e Zhitisë edhe ka qenë rruga Pollatë-Reçicë ku ka pasur shembje të dheut dhe të gurëve, është intervenuar dhe tashti është liruar rruga. Mirëpo, ajo rrugë që është në kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturëska shembje të mëdha dhe kemi kërkuar nga ministria që të marrë masa, sepse paraqet rrezik për shkak të gurëve të mëdhenj”.

Drejtori i SHPMSH-së ka theksuar se Komisioni i përhershëm për vlerësime të dëmeve i ka marrë shënimet prej ankuesve dhe se prej të hënës do ta bëjë vlerësimin.