Komuna e Podujevës e interesuar për aplikim në projektet e GIZ – CDBE

PodujevëPostuar: 16:03 / 14.05.2018

Iniciativa e Ekselencës – Komunat Gjithëpërfshirëse është një iniciativë në kuadër të projekteve të GIZ-CDBE, e cila ka për qëllim ofrimin e asistencës për komunat e përzgjedhura për zhvillimin gjithëpërfshirës, duke u përqendruar në arsim.

Më qëllim të prezantimit të iniciativës dhe kushteve që duhet t’u përmbahen komunat për aplikim sot në Komunën e Podujevës është zhvilluar një takim informues i përfaqësuesit të GIZ – CDBE Robert Kroiss me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, Agim Blakçori, drejtorin e Administratës - Gëzim Namani e ku ishin të pranishëm edhe zyrtarë të tjerë.

Në emër të GIZ – CDBE, Robert Kroiss informoi të pranishmit në takim për aktivitetet që parashihen dhe rolin që do ta ketë ky projekt.

Gjithashtu ai i njoftoi zyrtarët e komunës së Podujevës për formën e përzgjedhjes dhe numrin e komunave që do të përfitojnë nga ky projekt.

Ndërsa përfaqësuesit e Komunës u shprehën të interesuar për aplikim për përfitim nga ky program, duke e konsideruar si shumë të nevojshëm zhvillimin e aktiviteteve të tilla në Komunën e Podujevës.

Projekti i GIZ – CDBE ka në fokus komponentën e ri-integrimit të të kthyerve dhe grupeve të cenueshme duke zbatuar çasje gjithëpërfshirëse në kuadër të këtyre aktiviteteve.
/InfoKomuna/