Nënkryetari Rudari apelon te qytetarët të shmangin daljet në parqe dhe në Liqenin e Batllavës

PodujevëPostuar: 14:10 / 12.04.2020

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, apelon te qytetarët që të respektojnë vendimet dhe rekomandimet e institucioneve për kufizimin e lëvizjes dhe të shmangin daljet në parqet e qytetit dhe liqenin e Batllavës.

Ai ka rikujtuar se të gjithë ata të cilët nuk përfillin dispozitat shëndetësore të kufizimit të lëvizjes gjatë pandemisë, do të përballen me gjoba në bazë të Nenit 250 të Kodit Penal, ku parashihet edhe dënimi me burg, përcjell InfoKomuna/.

Postimi i plotë i nënkryetarit Rudari:

“Të dashur qytetarë,

Falë kujdesit të treguar dhe respektimit të rekomandimeve e vendimeve të institucioneve qendrore të shëndetësisë, në komunën tonë është hequr masa e karantinës për tri fshatra dhe aktualisht kemi vetëm një preson të infektuar me COVID-19, i cili është në rrugë të mirë të shërimit.

Pavarësisht vendimit për kufizimin e lëvizjes dhe ndalimin e grumbullimit të qytetarëve, ditëve të fundit është vërejtur fluks i theksuar i qytetarëve në parkun e qytetit dhe në liqenin e Batllavës, të cilët nuk kanë respektuar ndalimin e lëvizjes edhe në zonat e kufizuara me shirit nga Policia e Kosovës.

Apeloj te qytetarët t’i reduktojnë lëvizjet e tyre dhe të dalin vetëm për kryerjen e shërbimeve dhe nevoja të domosdoshme.

Në të kundërtën, të gjithë ata të cilët nuk përfillin dispozitat shëndetësore të kufizimit të lëvizjes gjatë pandemisë, do të përballen me gjoba në bazë të Nenit 250 të Kodit Penal, ku parashihet edhe dënimi me burg.

Qytetarë të dashur, për të shmangur veprimet që bien ndesh me ligjin dhe për të parandaluar rrezikun nga infektimi me virusin COVID-19,

Rrini në shtëpi!”.