Podujeva pa orë policore, përmirësohet situata dhe rastet aktive me koronavirus bien në 200

PodujevëPostuar: 14:42 / 04.01.2021

Vetëm katër raste pozitive me COVID-19 janë konfirmuar përgjatë 24-orëve të fundit në Komunën e Podujevë

Sipas IKSHPK-së, tre raste janë nga  qyteti dhe një rast nga fshati Dobërdol.


Numri i rasteve të reja dhe i atyre aktive po vazhdon të bie në Podujevë, ndërkohë që vetëm përgjatë kësaj jave që po lëmë pas janë konfirmuar rreth 70 raste pozitive.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Bedrie Rama për Llapi.info ka thënë se numri i rasteve aktive ka rënë dukshëm.

“Sot janë regjistruar katër rasteve pozitive me COVID-19 në rajonin e Podujevës. Aktualisht numri i të shëruarve ka arritur në 1 mijë e 901, kurse i atyre me fatalitet 40. Ndërkaq, aktivë me virusin korona janë edhe 208 qytetarë”, është shprehur Rama.

Epidemiologia e Rama ka thënë se edhe 68 qytetarë janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

“Situata me COVID-19 është përmirësuar. Para një muaji kemi pasur 200 raste aktive më shumë, do të thotë mbi 450 raste aktive”, është shprehur Rama.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 2 mijë e 200. Deri më tani, janë raportuar 40 viktima, mbi 1900 pacientë janë shpallur të shëruar.

Si pasojë e rënies së lakores më të infektuar të rinj, Komuna e Podujevës premten është larguar nga zona e kuqe, për të kaluar kështu në zonën e verdhë. Tash në këtë komunë nuk ka orë policore, e cila fillonte nga ora 20:00 dhe vazhdonte gjer në 05:00 të mëngjesit.

Komunat me rrezik të mesëm të infeksionit, e ku bënë pjesë edhe Podujeva, janë ato që kanë prej 76 deri në 149 persona të infektuar në 100.000 banorë. Komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e verdhë, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 06:00 deri në orën 18:00.

Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 06:00 deri në ora 18:00, pas orës 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi-dërgesë”.

Qendrat tregtare lejohen të punojnë prej orës 06:00 deri në ora 18:00. Transporti publik në këto komuna lejohet të punojë me 50 për qind të kapaciteteve duke respektuar manualin për mbrojtjen nga përhapja e sëmundjes COVID-19.

Në anën tjetër, në Kosovë sot janë regjistruar edhe 234 raste të reja me koronavirus dhe katër raste të vdekjes, raporton Llapi.info.

Në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike thuhet se rastet e reja pozitive rezultojnë nga testimi i 1,057 mostrave.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 51.965. Prej tyre, 1.344 pacientë kanë humbur jetën.

Pacientë të shëruar janë 42.635 – prej tyre 420 në 24-orëshin e fundit, derisa raste aktive me koronavirus aktualisht janë 7.986 ./Llapi.info