Podujeva vjet shfrytëzoi 94 për qind të buxhetit

PodujevëPostuar: 16:23 / 28.03.2018

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka miratuar sot Raportin financiar për vitin 2017, vendimin për bartjen e të hyrave vetjake nga viti 2017 në vitin 20l8 dhe vendime të tjera.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, e informoi Kuvendin se shuma e mjeteve vetjake të pashpenzuara në vitin 2017 është 345,786.59 euro dhe se ato barten në vitin 2018 në programet e administratës komunale, shëndetësisë dhe arsimit.

Drejtori Latifi, sqaroi po ashtu se “Buxheti i alokuar për vitin 2017 ka qenë 19,579,124.00 euro, përfshirë edhe donacionet. Nga kjo shumë janë shpenzuar 18,356,287.00 euro, apo 94 % e buxhetit”.

Sipas raportit të prezantuar, për paga dhe mëditje janë shpenzuar 11,443,726.00, për mallra dhe shërbime 1,045,464.00 euro, shpenzimet për komunali 320,572.00 euro, shpenzimet për subvencione 646,681.00 euro dhe për investime kapitale 4,899,844.00 euro.

Kuvendi me shumicë votash miratoi Raportin financiar për vitin fiskal 2017.

Në mbledhjen e sotme u miratua vendimi për ngritjen e Komisionit për ndarjen e shtëpive në pronësi të Komunës në Lagjen e Dëshmorëve në fshatin Balloc.