Podujevë: Kryetari Bulliqi dhe drejtori IADK-së biseduan për investime në bujqësi dhe blegtori

PodujevëPostuar: 15:42 / 17.03.2021

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka pritur sot në takim Zenel Bunjakun – drejtor i Iniciativës për Zhvillim të Bujqësisë në Kosovë (IADK), me të cilin biseduan për thellimin e bashkëpunimit në mbështetje të projekteve të ndryshme në sektorin e bujqësisë.

Gjatë takimit të sotëm, ku ishte i pranishëm edhe drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vigan Salihu, kryetari Bulliqi e ka informuar drejtorin e IADK-së, për investimet dhe projektet e planifikuara në sektorin e bujqësisë.

Kryetari Bulliqi tha se investimet në bujqësi dhe përkrahja e fermerëve përmes subvencionimeve të ndryshme do të jenë prioritet i Ekzekutivit të Komunës përmes Drejtorisë së Bujqësisë.

Drejtori i IADK-së premtoi përkrahjen për sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë në Llap përmes trajnimeve dhe këshillave për aftësim në fushën e bujqësisë si dhe granteve të ndryshme.
Gjithashtu, drejtori Zeneli tha se IADK në vazhdimësi ka përkrahur sektorin e bujqësisë në Komunën e Podujevës.

Me këtë rast, kryetari Bulliqi falënderoi drejtorin e IADK-së për përkrahjen e deritashme dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me këtë organizatë, me qëllim të rritjes së përkrahjes për bujqit dhe blegtorët llapjanë.