Potera premton 4 çerdhe dhe nga 100 euro për të porsalindurit

PodujevëPostuar: 10:28 / 15.11.2017

Kryetari i LVV-së, Visar Ymeri, e ka nisur me retorikë fjalimin në hapjen e fushatës në Podujevë për balotazhin e 19 nëntorit.

Emrin e kandidatit të tyre për kryetar të Podujevës, Ajet Potera, e ka ndarë në rrokje për ta përdorur si pyetje. “A je ti për ndryshim”, ka thënë Visar Ymeri, shkruan sot “Koha Ditore”.

E ka thumbuar edhe kundërkandidatin e tij nga radhët e LDK-së, Agim Veliu, i cili është edhe kryetar në detyrë.

“Llapi, thonë këta të vjetrit e LDK-së, hon e don u kanë me LDK-në. Kaq i sigurt është kundërkandidati se Besianën e ka të veten, saqë duart prej xhepave kurrë s’i nxjerr. Natyrisht veç atëherë kur i ka shti në xhepa të huaj”.

Por tashti ka thënë se gjërat kanë ndryshuar. Një pjesë të fjalimit ia ka kushtuar edhe veprimtarisë së Ajet Poterës që nga shkolla e mesme. Ka thënë se kjo e ka kalitur Poterën për një kryetar të jashtëzakonshëm të Podujevës.

“Sepse ai e ka dijen, sepse ai e ka vizionin, sepse ai e ka guximin, sepse ai e ka vendosmërinë, sepse ai e ka ndershmërinë, sepse ai e ka sinqeritetin, sepse ai e ka përkushtimin, sepse ai e ka përvojën në sektorin publik, sepse ai e ka përvojën në sektorin privat...”, ka thënë Ymeri.

E ish-kreu i kësaj partie, tashti deputet në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se ka ardhur koha të ndryshojë edhe Podujeva siç ka ndryshuar Prishtina.

“Ajeti është ekonomist dhe ushtarak. Përveç Fakultetit Ekonomik në Prishtinë dhe Akademisë Ushtarake në Tiranë, Ajeti është përzgjedhur për të specializuar për siguri evropiane nga NATO-ja dhe e ka kryer këtë specializim në Hamburg e në Bruksel në Akademitë e NATO-s...”, ka theksuar Kurti. Madje, sipas Kurtit, me Poterën fiton edhe Agim Veliu. “E mos mendoni se ka njerëz që nuk fitojnë me fitoren e Ajetit, sepse me fitoren e Ajet Poterës fiton edhe Agim Veliu. Agim Veliu i ka hyrë frika në palcë mos po e humb pushtetin. Po ajo jeta me frikë është frikë pa jetë. E me fitoren e Ajet Poterës, Agim Veliu çlirohet nga frika. Nga frika e humbjes së pushtetit. Të hënën e 20 nëntorit nis qeverisja e Ajet Poterës, po edhe Agim Veliu fillon të jetojë si qytetar me dinjitet i Komunës së Besianës...ta shfryjmë ballonin me mustaqe e t’i japim frymë Besianës me Ajetin”.

Ndërsa kandidati i LVV-së për kryetar të Podujevës, Ajet Potera, ka thënë se zotohet se qeverisja komunale do të jetë bashkëqeverisje me qytetarët. “Sepse bashkë jemi më të fortë, jemi më të mençur, jemi më të drejtë, jemi më të përgjegjshëm për fatin tonë dhe të fëmijëve tanë për të sotmen dhe për të ardhmen e tyre. Zotohemi se përkushtimi për punë dhe suksese nuk do të jetë vetëm ca ditë në fund të mandatit, por gjatë gjithë kohës çdo ditë, nuk do të jetë i njëkahshëm vetëm në infrastrukturë: rrugësh e trotuaresh, por do të jetë i gjithanshëm në të gjitha sferat e jetës, në të gjitha preokupimet tona si qytetarë”, ka thënë Ajet Potera.

Vendimi tij i parë, nëse arrin të vijë në krye të Komunës, ka thënë se do të jetë rishikimi i të gjitha kontratave me vlera të mëdha që i ka realizuar Komuna në mandatin e fundit.

Kandidati i LVV-së për kryetar të Podujevës ka thënë se do të angazhohet që të ketë kujdes shëndetësor gjithëpërfshirës dhe cilësor, të ofrohen shërbime shëndetësore me cilësi, rend dhe rregull.

“Do të funksionalizohen të gjitha qendrat e mjekësisë familjare, do të pajisen me infrastrukturë sipas standardeve dhe me pajisje dhe materiale të nevojshme shëndetësore. Për çdo fëmijë të porsalindur do të ketë mbështetje nga 100 euro për nënat si mirënjohje për këtë banor të ri që e kemi në komunën tonë. Bujqësia është mundësia dhe shansi ynë për zhvillim ekonomik dhe punësim. Ne do të rrisim subvencionet në bujqësi, blegtori dhe bletari. Do të ketë këshilla profesionale për bujqit në terren”, është shprehur Potera.