Shtohen rastet e dhunës në shkolla të Podujevës

PodujevëPostuar: 13:29 / 02.11.2017

Dhuna nëpër shkollat e Komunës së Podujevës është bërë goxha e shpeshtë kohët e fundit. Janë disa raste të raportuara të rrahjeve ndërmjet nxënësve e therje me thika prej sa ka filluar viti i ri shkollor. I fundit është ai i 25 tetorit, ku nxënësi Q.D. e ka therur me thikë N.K. (po ashtu nxënës) në oborrin e shkollës “Ilir Konushefci” në fshatin Llugë të Podujevës.

Zv.komandantja e Stacionit policor të kësaj komune, Valbona Blakçori, thotë se viktima me këtë rast ka marrë lëndime në disa pjesë të trupit.

Por, ky nuk është rasti i vetëm. Më 14 tetor kishte ndodhur edhe një rrahje ndërmjet dy grupeve të rinjsh pranë shkollës së mesme ekonomike “Isa Boletini”. Ndërkohë që 4 raste të tjera janë shënuar në muajin shtator, shkruan Koha Ditore.

Nga ana tjetër, zyrtarët komunalë të Podujevës thonë se Drejtoria Komunale e Arsimit është e përkushtuar që të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë nxënësit e Komunës.

Zëdhënësi, Nazmi Elezi, thotë se në funksion të krijimit të një mjedisi sa më të qetë dhe të sigurt për nxënës, Komuna e Podujevës, përkatësisht DA-ja ka të punësuar 4 psikologë në shkolla fillore dhe të mesme të ulëta në qytet, ku numri i nxënësve në këto shkolla është më i madh, si dhe ka planifikuar që ky numër të rritet në të ardhmen.