Ahmeti: Komuna nga viti i ardhshëm mbledh faturat e mbeturinave

PrishtinëPostuar: 15:53 / 25.09.2017

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se nga janar i vitit të ardhshëm mbledhja e mbeturinave do të paguhet në komuna.

“Ministria e Financave e ka futur në buxhet që ia jep të drejtën komunës së Prishtinës që t’i mbledhë vetë faturat e mbeturinave”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha se do të kenë konsumatorë individualë, ndërsa për konsumatorët komercialë dhe industrialë do të varet prej sasisë së bërllokut që e gjenerojnë, për të cilën do të ketë marrëveshje të veçantë.

“Nuk mund të jetë niveli i faturës i njëjtë për restorant dhe për amvisëri. Më nuk ka rëndësi se kush është drejtor i kompanisë ‘Pastrimi’ sepse ne do t’i paguajmë sipas kontratës dhe punës që e bëjmë”.

“Presim që buxheti prej 4.3 milionë eurove të rritet, dhe po ashtu na lejon që t’i përfshijmë plotë lagje dhe fshatra të përfshihen që nuk janë përfshirë më herët”.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, prezantoi 4 zotimet e fushës “Lagjja jonë e pastër”, zotime këto që do të zgjidhin problemin e mbeturinave në kryeqytet.
 
1. Mbledhja e mbeturinave do të paguhet në Komunë dhe sipas rregullores së re – Komuna e Prishtinës ka arritur që në përputhje me ligjin prej 1 janarit të vitit 2018 të mbledh pagesat për mbledhje të mbeturinave direkt. Pra, qytetarët do të paguajnë mbledhjen e mbeturinave në Komunë e jo në “Pastrim”, dhe me këtë rast Komuna do të ketë mundësinë që qytetin ta ndajë në disa zona dhe mbledhja e mbeturinave do të behet në mënyrë më efikase.
 
2. Orari dhe Plani i ri Logjistik për mbledhjen e mbeturinave – Gjatë vitit 2018 Komuna do ta bëjë planin aksional dhe planin e ri logjistik për mbledhjen e mbeturinave, planin e vendosjes efikase së kontejnerëve dhe veprimet e tjera që nevojiten për Prishtinë të pastër.

3. Mbeturinat do të mblidhen në të gjitha lagjet – me planin e ri aksional të gjitha lagjet do të përfshihen në mbledhjen e rregullte të mbeturinave. Deri në fund të mandatit nuk do të ketë asnjë lagje që nuk është e përfshirë në orar dhe plan.

4. Do të fillojë ndarja e mbeturinave dhe mbeturinat do të riciklohen – Pas pilotimit të ndarjes së mbeturinave në lagjen

Dardania, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me partnerët/donatorët ndërkombëtar do të organizoj një studim të fizibilitetit për menaxhimin e mbeturinave. Do të analizohen disa opsione për përdorimin e mbeturinave sipas ndarjes që do të bëhet.

“Në këtë formë do ta vendosim në kontroll menaxhimin e mbeturinave brena Komunës sonë. Do t’i mbledhim vetë pagesat, dhe do ta bëjmë planin e ri aksion e logjistik për mbledhje të mbeturinave. Në këtë formë, nuk do të mbetet asnjë lagje e fshat i Prishtinës pa e marrë këtë shërbim nga Komuna. Për më tepër, jemi duke i monitoruar edhe mbledhësit joformal të mbeturinave, që e kryejnë një punë të cilën do duhej ta kryente Komuna, dhe do të mundohemi të gjejmë metoda për formalizimin e punës së tyre”, tha në fund Kryetari Shpënd Ahmeti.

Ndërsa ish-nënkryetari i komunës së Prishtinës, deputeti i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu, ka theksuar se njëra ndër super-prioriteteve të tyre kryesore është mbledhja dhe deponimi i mbeturinave.

“Tash e katër vite largimi dhe pastrimi i mbeturinave është bërë, por  kemi pas një situatë jo të mirë për qytetarët e Prishtinës, sepse ndërmarrja ‘Pastrimi’ ka qenë në kundërshtim me politikat tona, por kemi arritur ti bëjmë disa hapa përpara, dhe me këtë kemi arrit ta bëjmë një Prishtinë të pastër”.