Banka Botërore me mision identifikues të projekteve investive në Ujësjellësin e Prishtinës

PrishtinëPostuar: 15:57 / 17.01.2019

Përfaqësues të Bankës Botërore gjatë ditës së sotme qëndruan në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ,,Prishtina,, sha.

Sipas njoftimit për media, në takim morën pjesë Susanna Smets , specialiste për ujë dhe ujëra të zeza nga Banka Botërore , Bekim Imeri, specialist për zhvillim social, po ashtu nga Banka Botërore, si dhe kryeshefi ekzekutiv, Ilir Abdullahu me stafin e tij përcjellës.

Qëllimi i këtij takimi me përfaqësues të Bankës Botërore, si partnerë shumë të rëndësishëm strategjikë për sektorin e ujit, ishte diskutimi i projektit të Bankës Botërore për identifikimin e investimeve potenciale afatgjate në KRU,,Prishtina,,.

Ujësjellësi i Prishtinës shpalosi projektpropozimet e saj në fushat më të nevojshme për investime siç janë, zvogëlimi i humbjeve teknike dhe komerciale (dorëzoi kërkesën për studim fizibiliteti për menaxhimin e presionit), ruajtja dhe menaxhimi i resurseve ujore si dhe kursimi i shpenzimeve të energjisë elektrike përmes investimeve në ndërtimin e paneleve solare që do të ulte shpenzimet operative si rezultat i kostos së lartë të energjisë elektrike.

Ilir Abdullahu, kryeshef ekzekutiv, paraqiti para Bankës Botërore studimin e fizibilitetit me arsyeshmëritë e ngritjes së Impianteve Energjetike Fotovoltaike në tre zona të shërbimit (Shkabaj, Albanik, Selia Qendrore) planet konkrete zhvillimore në reduktimin e humbjeve të ujit të pafaturuar si dhe diskutoi rreth furnizimit me ujë të zonave rurale, me theks të veqantë rreth nevojave për ujë të pijshëm dhe ujitje në zonat me resurse ujore të pakta. Një studim fizibiliteti ishte hartuar vitin e kaluar nga Komuna e Drenasit për ndërtimin e akumulacionit si dhe nevojat për investime të imipanteve të trajtimit të ujërave të zeza për mbrojtjen e lumit Drenica dhe ujërave nëntokësore në ato zona.

Ndër të tjera, kryeshefi Abdullahu falënderoi Bankën Botërore si partner strategjik për misionin e tyre në identifikimin dhe përkrahjen e projekteve investive dhe afatgjata për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit të Prishtinës. Banka Botërore u zotua se projektpropozimet do t'i diskutojë në komitetet e tyre teknike.