Komuna dështon të mirëmbajë Parkun e lodrave në Taukbashqe

PrishtinëPostuar: 14:29 / 13.06.2019

Parku i lodrave, në fillim të lagjes Taukbashqe të Prishtinës, ka mbetur në gjendje të mjerueshme, pasi ai nuk është mirëmbajtur nga Komuna. Lodrat e fëmijëve janë mbuluar me barë, ndërsa vetëm pak metra më tutje, hapësira e parkut ku ka edhe drunj, shihet e mbuluar me mbeturina.

Komuna që nga viti 2018 e ka themeluar Drejtorinë e Parqeve, një dikaster i ri në qeverisjen lokale, detyrë e së cilës ndër të tjera është edhe “krijimi dhe mirëmbajtja e vazhdueshme e këndeve të lojërave për fëmijë”.

Fatime Hajdari, drejtoreshë e Parqeve, pati thënë për “Kohën Ditore” në mars të këtij viti se sa i përket shqetësimit rreth shkatërrimit të këndeve të lojërave për fëmijët, Komuna e Prishtinës është duke u angazhuar që të gjejë një zgjidhje të përhershme, përmes së cilës do t’i mirëmbajë ato në mënyrë të vazhdueshme.

“Komuna e Prishtinës është në fazën e fundit të përfundimit të një modaliteti, i cili do ta zgjidhë përfundimisht çështjen e mirëmbajtjes së këndeve të lodrave. Në javët në vijim do të prezantojmë zgjidhjen, e cila garanton shërbimin cilësor dhe të vazhdueshëm të mirëmbajtjes së këndeve të lodrave”, pati thënë Hajdari.

Ndërsa tani Hajdari ka thënë se marrëveshjen për mirëmbajtjen e këndeve të lodrave Komuna e ka bërë me NPB-në, e kjo e fundit, fillimisht ka ndërhyrë në disa vende te lodrat e prishura, të cilat kanë paraqitur rrezik për fëmijët.

Ndërsa sa i përket mbeturina, ajo ka thënë se përgjegjësia nuk bie mbi Drejtorinë e saj.

Ajo pati thënë atëherë se për këtë qëllim, në buxhetin e këtij viti janë ndarë 100.000 euro dhe së shpejti do të nënshkruhet kontrata e re për mirëmbajtje, krahas shtimit të këndeve të tilla në pesë lokacione të reja.

“Ne synojmë që të intervenohet në të gjitha këndet, ku janë identifikuar prishje për t’i bërë funksionale ato, sepse jemi të vetëdijshëm për nevojën e sa më shumë hapësirave për fëmijë në Komunë”, pati theksuar Hajdari.

Ajo pati vlerësuar se “sa i përket së kaluarës, fatkeqësisht përvoja ka dëshmuar që ka pasur shumë probleme me përgjegjësinë e autoriteteve të kontraktuara në kryerjen e këtij shërbimi”.

Për këtë arsye, sipas saj, alternativa e re me të cilën është synuar të operohet këtë vit, konsiderohet që do t’i japë fund problemit në fjalë.

Por, se këndet e lodrave shihet se kanë mbetur në gjendje të mjerueshme në shumë pjesë të kryeqytetit.