Agim Kuleta zgjedhet kryesues i Kuvendit të Prishtinës

PrishtinëPostuar: 11:30 / 18.01.2018

Kuvendi Komunal i Prishtinës në mbledhjen e sotme ka zgjedhur kryesues, Agim Kuleten, nga radhët e Lëvizjes për Bashkim, i cili ishte i propozuar nga Vetëvedosje.

Kundërkandidat Kuleta kishte asamblistin, Shefki Gashi, nga radhët e LDK-së, raporton InfoKomuna. 

Të pranishëm ishin 51 asamblistë, ndërsa nga 46 vota sa ishin të vlefshme Kuleta mori 27, kurse Shefki Gashi mori 19 vota.

Në fjalimin e parë si kryesues i Asamblesë së Prishtinës, Agim Kuleta, i falënderoi asamblistët për besimin e dhënë, ndërsa tha se qytetarët e Prishtinës duan një qytet të zhvilluar, funksional dhe të bukur”.

“Prandaj ne, si përfaqësues të tyre, sa herë që të thirremi në interesat e votuesve tanë, duhet ta kemi të qartë se po thirremi në interesat e të gjithë qytetarëve të Prishtinës. Kjo, edhe duhet të na bëjë të përgjegjshëm për punën dhe veprimet tona të përditshme”, tha Kuleta.

“Unë, jam i bindur se gjërat që na bashkojnë janë më të mëdha e më të rëndësishme se sa ato që mund të na ndajnë. Ne na bashkon interesi i Prishtinës dhe qytetarëve të saj, ndërsa mund të ndajë mënyra se si e shohim realizimin e këtyre interesave".

"Prandaj, duke besuar fuqishëm në këtë, si kryesues i këtij Kuvendi, do të përpiqem maksimalisht që ta kryejë punën time në mënyrë sa më profesionale. Do të jem i hapur dhe bashkëpunues me secilin prej jush, në funksion të mbarëvajtjes së punës në këtë institucion dhe në të mirë të qytetarëve të komunës sonë të përbashkët”, Theksoi Kuleta./InfoKomuna/