“Velania” në kryeqytet nuk përfshihet në riorganizimin e trafikut urban

PrishtinëPostuar: 10:16 / 03.10.2018

Banorët e lagjes “Velania” në kryeqytet nuk do të mundë të shfrytëzojnë shërbimet e transportit publik as pas arritjes së kontingjentit të dytë prej 30 autobusëve të rinj, që i ka blerë Komuna e Prishtinës

Përderisa në disa pjesë të kryeqytetit linjat e transportit publik janë dyfishuar, lagjja “Velania” nuk ka përfituar nga ky riorganizim, shkruan Koha Ditore.

Kjo lagje prej vitesh kërkon transport publik, teksa banorët vazhdimisht kanë marrë premtime nga Komuna se do t’iu sigurohen këto shërbime “së shpejti”.

Banorët kanë thënë se mungesa e transportit publik i ka detyruar ata që të bëjnë zgjidhje përmes udhëtimit vetëm me automjete private, dhe kjo ka rritur koston e jetesës së tyre, duke iu imponuar që patjetër familjet të kenë vetura, madje më shumë se një të këtillë.

Ata thonë se udhëtimi me automjete private shumë herë do të ishte i panevojshëm, nëse do të kishte autobus nëpër lagje.