Haskuka: Intervenimi për zjarrin në Bjeshkët e Pashtrikut, problem për shkak të minave

PrizrenPostuar: 11:55 / 03.10.2018

Kryetari i komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, ka folur për zjarrin që ka kapluar Bjeshkët e Pashtrikut.

Në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini, Haskuka tha se zjarri në Bjeshkët e Pashtrikut, ka rreth një javë që është hapur, ndërkaq për momentin nuk ka zjarr aktiv.

Ai tha se problem kryesor për zjarrfikësit në zonat e larta të Pashtrikut, janë zonat e minuara.

“Rreth një jave po bëhet që ka zjarre në Bjeshkët e Pashtrikut. Në zonat e ulëta intervenimi ka qenë i menjëhershëm dhe zjarri është fikur. Ditën e dytë ka pasur prapë zjarre por, prapë pas intervenimeve është kontrolluar zjarri. Ndërsa dje e pardje ka pas zjarr në zonat e larta të Pashtrikut, e në atë zonë ka mina kështu që zjarrfikësit kanë probleme të intervenojnë në ato zona. Është pak problem aty. Me sa fola me drejtorin e emergjencave në mëngjes, më tha që zjarret janë nën kontroll dhe nuk ka zjarr aktiv”, ka thënë Haskuka.

Ai po ashtu sqaroi aludimin që ka pasur sa i përket zjarrvënies së qëllimshme nga faktori njeri në këto zona.

“Zjarret janë përhap në zona të ndryshme, dhe nuk ka pas arsye tjetre pos faktorit njeri. Dje ka qenë në katër vende zjarri, nuk ka pas erëra të forta që të çoj zjarrin nga një vend në tjetrin. E kjo tregon që njerëzit e kanë bërë”, theksoi ai.