Planifikimi jo i duhur lë të pafunksionalizuara ndërtesat sociale

PrizrenPostuar: 13:42 / 04.04.2018

Drejtuesit e Komunës së Prizrenit kanë bërë të ditur se ndërtimi i banesave sociale në lagjen “Petrovë” është bërë pa planifikim të plotë infrastrukturor. Sipas tyre, një gjë e tillë ka bërë që këto banesa të jenë të pabanueshme.

Në të njëjtën kohë janë zotuar se kanë nisur intervenimet me qëllim që të rregullohen furnizimi me ujë të pijshëm dhe me energji elektrike, si dhe mjedisi përreth, shkruan sot Koha Ditore.

“Në mungesë të planifikimit të plotë infrastrukturor, banesat sociale në rrugën transit (lagjja Petrovë v.j.) kanë qenë të pabanueshme. Në to nuk ka pas kyçje në trafo, sistem të rrjetit me ujë të pijshëm, si dhe ka mbetur e papërfunduar infrastruktura mjedisore”, ka theksuar kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ai ka sqaruar se gjatë këtyre ditëve Drejtoria e Mirëqenies Sociale ka arritur që t’i sigurojë të gjitha marrëveshjet dhe lejet e nevojshme, që më në fund të përfundohen këto banesa.