Shuhet zjarri në bjeshkët e Pashtrikut (Foto)

PrizrenPostuar: 16:46 / 03.10.2018

Për rreth një javë zjarrfikësit e Prizrenit janë ballafaquar me fikjen e zjarrit që kishte kapluar bjeshkën e Pashtrikut, e cila në pjesë të ndryshe dyshohet se është zonë e minuar.

Komuna e Prizrenit njofton se me intervenime të vazhdueshme për disa ditë të ekipit të zjarrfikësve dhe ekipit të pylltarisë nga Drejtoria e Bujqësisë, zjarri i cili kishte kapluar bjeshkën e Pashtrikut është shuar në tërësi.

"Ekipet intervenuese tashmë e kanë lokalizuar zjarrin dhe situata është nën kontroll", thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit, shkruan InfoKomuna.

Edhe kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, gjatë ditës u deklarua rreth kësaj çështje, duke thënë se problem kryesor për zjarrfikësit në zonat e larta të Pashtrikut, janë zonat e minuara.

“Rreth një jave po bëhet që ka zjarre në Bjeshkët e Pashtrikut. Në zonat e ulëta intervenimi ka qenë i menjëhershëm dhe zjarri është fikur. Ditën e dytë ka pasur prapë zjarre por, prapë pas intervenimeve është kontrolluar zjarri. Ndërsa dje e pardje ka pas zjarr në zonat e larta të Pashtrikut, e në atë zonë ka mina kështu që zjarrfikësit kanë probleme të intervenojnë në ato zona. Është pak problem aty. Me sa fola me drejtorin e emergjencave në mëngjes, më tha që zjarret janë nën kontroll dhe nuk ka zjarr aktiv”, ka thënë Haskuka.

Ai po ashtu sqaroi aludimin që ka pasur sa i përket zjarrvënies së qëllimshme nga faktori njeri në këto zona. /InfoKomuna/