Trajnohen anëtarët e rinj të Kuvendeve të Komunave në Rajonin e Prizrenit

PrizrenPostuar: 16:18 / 15.12.2017

Anëtarët e Kuvendeve të Komunave nga Rajoni i Prizrenit sot ishin në trajnimin e organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës në temat “Roli i anëtarit të Kuvendit të Komunës” dhe “Infrastruktura ligjore ekzistuese mbi vetëqeverisjen lokale në Kosovë” me ligjëruesit, Fatos Qerimi, Drejtor i Departamentit Ligjor në MAPL dhe Xhevat Tafa, udhëheqës i Divizionit për monitorimin e komunave në MAPL.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka vazhduar mbajtjen e “Trajnimeve të Anëtarëve të zgjedhur të Kuvendeve Komunale”. Ky program po implementohet në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe financohet nga Agjencioni Zvicerian për Zhvillim (SDC), përcjell InfoKomuna.

Trajnimet organizohen nëpër qendrat regjionale të Kosovës (Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë dhe Gjilan) ku do të mbahen pesë takime për secilën fushë/temë nga nëntë gjithsej.

Gjatë trajnimit të sotëm është zhvilluar edhe diskutimi mes panelistëve dhe anëtarëve të KK për çështje me rëndësi për Kuvendet e Komunave.

Me trajnimin e sotëm mbyllet vetëm faza e parë e trajnimeve për këtë vit, ndërsa me 15 janar 2018 vazhdohet me shtatë temat tjera në fushën e qeverisjes lokale. /InfoKomuna/