Qeveria dhe Komuna duan përkrahje ndërkombëtare për unazën e Prishtinës

PrishtinëPostuar: 10:16 / 10.01.2018

Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës janë duke shikuar mundësitë për realizimin e projektit “Unaza e Prishtinës” në partneritet me ndërkombëtarët.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, të martën, në një konferencë të përbashkët për media, kanë thënë se tashmë e kanë një opsion që të ecin me këtë projekt, i cili, sipas tyre, është projekti më i madh infrastrukturor dhe investiv, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ky projekt i cili është konceptuar që nga viti 2004, nuk ka arritur të realizohet as pas 14 vjetësh.

Për këtë, kreu i Prishtinës, Ahmeti ka thënë se në takim me kryeministrin Haradinaj kanë diskutuar për mënyrën që ky projekt të bëhet me bashkëfinancim nga Komuna e Prishtinës dhe Qeverisë, por edhe në partneritet me ndërkombëtarët qoftë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) apo edhe me bankat e tjera investive.

Gjatë takimit, sipas tij, është diskutuar edhe për Ligjin për Prishtinën, pasi siç ka thënë Qeveria është e interesuar që sa më shpejt të shkojë edhe në lexim të dytë.