135 mijë euro për "Shtigjet e ecjes" në Rahovec

RahovecPostuar: 14:20 / 12.04.2018

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi dhe Ministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal Rasim Demiri, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Mirëkuptimit për mbështetjen e projektit “Shtigjet e ecjes”me vlerë prej 135 mijë e 500 euro në qytetin e Rahovecit.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes  të Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se "ndihem mirë se do të bëhet realitet zotimi im publik për t’u ngjitur me shkallë deri në Majën e Shkodranit".

"Po ashtu, jam i sigurt se në këtë zonë të patrajtuar deri tani, në të ardhmen e afërt, pritet të merr krahë zhvillimi ekonomik, me theks të veçantë agroturizmi dhe turizmi kulturor".

“Dua të shpreh falënderimin për bashkëpunëtorët e mi në Komunë që kontribuan për përgatitjen e mirë të projektit, Komunën e Malishevës e cila është pajtuar që Rahoveci të jetë komunë lidere në projekt, si dhe mbështetjen e arsyeshme të stafit të MZHR, ministrit, zv.ministrave, pa e harruar as zv.ministrin  Musa Cena”, ka thënë ndër të tjera Latifi.

Bazuar në marrëveshjen e nënshkruar, MZHR-ja për këtë vit do ta përkrah financiarisht realizimin e këtij projekti “Shtigjet e ecjes” në shumën prej 125.000 euro, ndërkaq Komuna e Rahovecit, nga buxheti i saj i vitit 2018 do ti ndaj 10.500 euro, ndërsa vlera totale është 135 mijë e 500 euro.  /InfoKomuna/