Gjithçka gati për festivalin e vjeljes së rrushit në Rahovec

RahovecPostuar: 10:29 / 07.09.2017

Përgatitjet për festën e vjeljes së rrushit tani më festë me renome ndërkombëtare "HardhFest" janë në fazën përfundimtare.

Se deri ku kanë shkuar përgatitjet të cilat janë bërë nga këshilli organizativ, nga afër i ka parë edhe Kryetari i Komunës së Rahovecit Idriz Vehapi, i cili me këtë rast i ka përgëzuar të gjithë anëtarët e komisionit për punën e bërë deri matani, transmeton InfoKomuna.

Të rëndësishme vizitën Kryetarit Vehapi e ka quajtur kryesuesi i këshillit organizativ, Agron Sokoli, i cili ka thënë se "vizita juaj është e rëndësishme dhe kjo dëshmon se në kemi pasur në vazhdimësi përkrahjen institucionale dhe falë kësaj përkrahje ne kemi arritur që të bëjmë një organizim të mirë".

Me sloganin “Mbas Verës, Vjen Vera”, këtë vit mbahet edicioni i 16-të i festës së vjeljes së rrushit – Hardh Fest, që do të nisë sot ( e enjte ) dhe do të zgjasë deri më 10 shtator, "n’Konak të Rahovecit" ( tek shtëpia e verës).

Ndërsa ceremonia zyrtare e hapjes së festës fillon nga ora 15:00, me prerjen zyrtare të kalaveshit të rrushit si dhe adresimet zyrtare.
 
E veçanta e këtij edicioni është ardhja e legjendës së muzikës rock, Joe Lynn Turner, ish vokalist i grupit Deep Purple dhe Rainbow, i cili do të performojë gjatë koncertit të Hardh Fest 2017.