Nis aksioni i pastrimit të mbeturinave në Rahovec

RahovecPostuar: 14:41 / 02.05.2018

Pas mbajtjes së takimeve me kryetar të lagjeve të Rahovecit, kryetar të fshatrave, përfaqësues të OJQ-ve dhe përfaqësueseve të operatorëve ekonomik të cilët kanë kontrata në Komunën e Rahovecit, sot ka filluar aksioni për pastrimin e mbeturinave me moton “Ta pastrojmë Rahovecin së bashku”.

Ky aksion pritet të zgjas deri në heqjen e të gjitha “pikave të zeza” me mbeturina në tërë hapësirën e Komunës së Rahovecit.

I pranishëm në  fillimin e aksionit të pastrimit të mbeturinave ishte edhe kryetari i Komunës Smajl Latifi me stafin e tij, nxënëset e shkollave fillore “Ardhmëria” dhe “Isa Boletini”. Aksionit i janë përgjigjur edhe punëtorët ndërmarrjes publike KRM “Ekoregjioni” Prizren, Njësia Operative në Rahovec.

Aksionit i janë përgjigjur qytetarë në gjithë territorin e Komunës, nxënës dhe vullnetar të Qendrës Rinore SHL-Kosova. Simbolikisht aksioni për pastrimin e mbeturinave ka filluar në orën 8:30 nga vendi i quajtur “Rrasat e Rahovecit”, në rrugën Rahovecit-Malishevë. /InfoKomuna/