Rriten zonat urbane të Kosovës, pa harta zonale
Në Kosovë janë duke u rritur dukshëm zonat urbane. Për 18 vjet (2000 – 2018) zonat urbane të Kosovës janë rritur për 57 për qind, e zakonisht kjo rritje është bërë në tokat bujqësore.
Derisa po rriten zonat urbane, komunat e Kosovës nuk kanë harta zonale, e nuk ka as hartë zonale në nivel vendi.
Kështu u bë e ditur gjatë një tryeze diskutimi, organizuar për shënimin e “Ditës Botërore të Planifikimit të Qyteteve”.
Në vitin 2000 sipërfaqja e zonave urbane në Kosovë ka qenë rreth 1%, ndërsa në vitin 2018 sipërfaqja e tyre është 1.5 %, prej të cilave 50% janë krijuar prej vitin 2000-2012, ndërsa 7% deri në vitin 2018.
Ndërsa, për 40 vjet zonat urbane të Kosovës janë rritur për katër herë.
Sa i përket Planit Zhvillimor, 31 komuna kanë të miratuar , 4 janë në proces, ndërsa 2 komuna janë në fazën përgatitore të këtij plani.
Ndërsa, në gjithë Kosovën 22 komuna janë të proces të hartimit të hartës zonale, në fazën përgatitore janë 3 komuna dhe 13 komuna nuk e kanë filluar këtë proces.
Mirëpo, në MMPH pritet që në muajin e ardhshëm të bëhet prezantimi i draftit të Hartës Zonale të Kosovës.
E, bazuar në këtë zhvillim urban të Kosovës, u potencua se qytetet do të ballafaqohen me probleme në mjedis, do të ketë mungesë të resurseve, më pak ujë e zvogëlohen tokat bujqësore, e këto duhet të merren parasysh gjatë hartimit të dokumenteve të planifikimit urban.
Sekretari MMP, Arben Çitaku tha se profesionistët e fushës duhet të kontribuojnë në hartimin e politikave për zhvillim të planifikimit urban.
Ndërsa, këshilltari i ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Leotrim Sahiti tregoi se çfarë ka bërë kjo ministri sa i përket planifikimit urban të vendit.
“Një nga problemet e Kosovës është mos-planifikimi urban, mungesë e parkingjeve, ndërtimet e egra. Si ministri kemi lansuar këtë vit pakot informuese për lejet ndërtimore, që ndikojnë pozitivisht në planifikimin urban. Nevojitet një bashkëpunim efikas mes të gjithë akterëve”, tha ai.
Derisa zonat urbane po rriten, organizata GIZ është duke ndihmuar komunat në lidhje me këtë çështje. Tashmë në Pejë është duke funksionuar platforma dixhitale që të komunikohet me komunat për planin zhvillimor komunal, e cila ka referencë gjeografike. Por, kjo platformë do të vazhdojë edhe në komunat e tjera të Kosovës.