SHMU "Emin Duraku" bëhet me uniformë shkollore
Me qëllim që të mos ketë dallime sociale mes nxënësve dhe në mënyrë që të ketë siguri më të madhe në oborrin e shkollës, këto ditë ka filluar bartja e uniformës shkollore në Shkollën e Mesme të Ulët Emin Duraku të Shtimes. Ky model për bartje të uniformës shkollore është aplikuar për herë të parë në këtë shkollë pas 75 viteve të funksionimit të saj.
Drejtoresha e shkollës, znj. Antigona Salihu, bënë të ditur se për furnizimin e SHMU Emin Duraku në Shtime me uniforma shkollore është kontraktuar NTP Fati nga Lipjani, ndërsa për paralelen e ndarë në Davidovc DPZ Lida nga Shtimja. Nxënësit për një uniformë kanë paguar 7 euro, thotë znj. Salihu, ndërsa sipas kontratës nga dy nxënës për klasë janë liruar nga pagesa. Procesi për uniformimin e nxënësve në shkollën e Shtimes ka përfunduar, ku gjithsej janë pajisur me to 811 nxënës, kurse në shkollën e Davidovcit janë përfshirë gjithsej 64 nxënës, tregon znj. Salihu. Ajo po ashtu, spikati se janë siguruar edhe 50 uniforma për mësimdhënës, të cilët janë të obliguar të bartin gjatë zhvillimit të procesit mësimor.