Gjendja e sigurisë në Shtime e qetë dhe stabile

ShtimePostuar: 14:49 / 16.04.2018

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e parë të rregullt për këtë vit të cilën e kryesoi, kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, në të cilën mbledhje u trajtua si pikë e rendit të ditës situata e përgjithshme e sigurisë në komunën e Shtimes.

Kryetari Ismajli para të pranishmëve dha një informatë të përgjithshme për sigurinë në Shtime, ndërsa shprehu gatishmërinë që në emër të institucionit të Komunës për të bashkëvepruar me të gjithë akterët relevant lokal me qëllim të rritjes së nivelit të sigurisë në komunën tonë.

“Rastet e veçanta, specifike qoftë në shkolla apo shoqëri dëshirojmë që të kursehemi nga paragjykimet dhe deklaratat e ngutshme, të cilat nuk i ndihmojnë rasteve dhe prekin familjet, mirëpo do të rrisim përkushtiminin dhe punën, në këtë fushë” theksoi kryetari Ismajli.

Në mënyrë specifike për situatën e sigurisë në Shtime foli edhe Komandanti i Stacionit Policor në Shtime, Enver Avdyli u shpreh se gjendja e sigurisë në Shtime, duke u bazuar në statistikat dhe të dhëna të krahasuara me vitin paraprak është stabile dhe e qetë, ndërsa lidhur me incidentet e fundit, ai kërkoi që të mos të paragjykohet deri në rezultatin përfundimtar, zyrtar nga ana e Policisë së Kosovës, si dhe bëri thirrje që qytetarët të kenë kujdes nga thashethemet.

Ai po ashtu njoftoi se Policia e Kosovës ka shpallur konkursin publik për t’u inkuadruar në radhët e saj dhe bëri thirrje që kjo informatë të shpërndahet sidomos tek të rinjtë, komunitetet dhe gjinia femërore të inkurajohen për aplikim.

Kryetari i Bashkësisë Islame, Isa Tërshani shprehi gatishmërinë për të ndihmuar organet komunale, qoftë duke bashkëpunuar me drejtorinë për Arsim për të publikuar broshura dhe organizuar ligjërata për dukuritë negative në shoqëri e posaçërisht në shkollat e komunës së Shtimes.

Takimin e përshëndeti edhe kapiteni nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) Naim Bajraktari, i cili tha se FSK ka përgatitur një plan për të dhënë kontribut dhe institucionet do të kenë përkrahjen dhe bashkëpunimin e FSK-së.

Kryetari i Komunës së Shtimes, i falënderoi për pjesëmarrjen gjithë anëtarët e KKBS-së duke uruar bashkëpunim të frytshëm e rezultate pozitive nga ky mekanizëm mjaft i rëndësishëm për rrjedhat e sigurisë në nivel lokal. /InfoKomuna/