Shtimja me plan komunal për efiçiencë të energjisë

ShtimePostuar: 15:59 / 24.05.2018

Kryetari i komunës së Shtime, Naim Ismajli, ka pritur në takim kryeshefin e Agjencisë për Efiçencë të Energjisë, Arsim Kuliqi si dhe përfaqësuesin e GIZ-it - udhëheqës i projektit për efiçiencë të energjisë, Avni Sfishta.

Kryeshefi i Agjencisë, Arsim Kuliqi, e përgëzoi kryetarin Ismajli për hartimin e Planit Komunal për Efiçiencë të Energjisë dhe e njoftoi se Ligji për Efiçiencë të Energjisë ka kaluar në Kuvendin e Kosovës dhe pritet që së shpejti te miratohet.

Ai kërkoi nga kryetari Ismajli emërimin zyrtarit për efiçiencë të energjisë dhe ofroi bashkëpunimin e agjencisë dhe të GIZ-it për asistencë teknike për trajnimin e zyrtarit dhe ndihmën konkrete në hartimin e Planit Komunal të Veprimit për Efiçiencë të Energjisë.

Gjithashtu Kuliqi tha se pas miratimit të ligjit nga kuvendi do të krijohet fondi prej 15 milion eurove që do jetë në dispozicion të komunave që do aplikojnë me projekte konkrete në fushën e eficiençës së energjisë.

Kryetari Naim Ismajli e potencoi edhe njëherë se ne tashmë kemi planin komunal për Efiçiencë të Energjisë dhe se komuna ka qenë përfituese edhe më herët e projekteve të ngjashme nga Komisioni Evropian në meremetimin e 3 shkollave në vitin 2013 si dhe fillimin meremetimit e 5 shkollave në vitin 2018 nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik pas përfundimit të vitit shkollor në kuadër të masave që ka marrë komuna duke u bazuar në planin për efiçiencë të energjisë.

Kryetari u zotua se shumë shpejt do të bëhet emërimi i zyrtarit në fjalë dhe do te merren të gjitha veprimet që shumë shpejt të hartohet Plani Komunal i Veprimit për Efiçiencë të Energjisë me ndihmën e Agjensionit dhe të GIZ-it dhe se komuna jonë do të jëtë përfituese me projekte konkrete në këtë fond. /InfoKomuna/