ZKA: Sistemi informativ i Tatimit në Pronë nuk funksionon në mënyrë efektive

Postuar: 15:00 / 24.04.2018

Raporti i fundit i auditimit të performancës, i publikuar sot tregon se sistemi informativ i tatimit në pronë (SITP) nuk është efektiv në mbledhjen e të hyrave nga tatimi në pronë. Sistemi është zhvilluar me ndihmën e Agjencisë Suedeze të Tatimeve dhe financim të Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, por Ministria e Financave ka dështuar në plotësimin e kushteve të dakorduara të marrëveshjes.

Tatimi në pronë është e hyrë kryesore komunale dhe përbënë rreth 30% të hyrave vetanake. Për mbledhjen sa më efektive të tatimit në pronë është thelbësore që shkëmbimi i informatave, përditësimi i të dhënave, dhe qasja në to të funksionojë përmes një sistemi informativ të tatimit në pronë, të mirë organizuar, i cili do t’i siguroj qasje të gjithë palëve dhe institucioneve pjesëmarrëse të përfshira në këtë proces.

Ky sistem i ofron qytetarëve marrjen e informatave  për obligimet e tyre për tatimin në pronë, pavarësisht nga cila komunë kërkohet shërbimi, si dhe i mundëson qasje në formë elektronike përmes e-faturës në bazë të cilës mund të bëhet edhe pagesa e këtij tatimi.

"Në mos efektivitetin e këtij sistemi kanë ndikuar mangësitë në qeverisjen dhe menaxhimin e mirëfilltë të teknologjisë informative. Ministria e Financave ka dështuar në hartimin e strategjisë, politikave dhe procedurave të TI-së, duke rrezikuar adresimin e burimeve të nevojshme për mbështetjen e veprimtarisë së sistemit. Edhe mbarëvajtja e sistemit nuk është duke u realizuar sipas praktikave të mira. Ministria e Financave  nuk ka arritur të ofroj përkrahjen e duhur për shfrytëzuesit. Gjithashtu, nuk është bërë matja efektive e sistemit, duke pamundësuar planifikimin e kapaciteteve të nevojshme për operimin e duhur në të ardhmen", vlerëson Zyra Kombëtare e Auditorit.

"Të dhënat hyrëse nuk janë të sakta dhe shpeshherë nuk janë të përditësuara. Disa prona nuk janë të regjistruara, disa janë regjistruar shumë herë si dhe cilësia e ndërtimit si bazë për tatim injorohet në disa komuna. Ekziston një zbritje në të gjitha pronat e banimit, ndërsa zbritja duhet të jetë vetëm për banim primar por jo edhe për atë sekondar", thekson më ZKA.

Për shkak të zhvillimeve të vazhdueshme në sistem, shërbimet e ndryshme si ai i modulit financiar nuk e ka realizuar qëllimin e tij në tërësi. Ky modul është përcjellë me shumë mangësi. Shpesh herë janë paraqitur paqartësi në të dhëna, vonesa në regjistrimin dhe shpërndarjen e  pagesave, vështirësi në përpilimin e raporteve  e deri te ndërprerja e këtij shërbimi.

"Kjo ka ndikuar në performancën dhe shfrytëzimin jo efektiv të sistemit nga shfrytëzuesit. Mangësi më të mëdha janë identifikuar në modulin e faljes së borxheve ku ka raste kur tatimpaguesit nuk kanë përfituar nga falja për 0.02€".

Sistemi nuk ofron siguri të mjaftueshme. Të drejtat e tepruara apo qasje të pa autorizuara mund  të mos zbulohen, mungesa e gjurmueshmërisë së plotë të veprimeve rrezikon realizimin e paautorizuar të tyre dhe keqpërdorimit të të dhënave. Ndërsa, mungesa e kontrollit të dhënies së privilegjeve në pajisjet e shfrytëzuara për qasje në sistem nga komunat, rrezikon keqpërdorimet në sistem.

Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës ka thënë: “Tatimi në pronë është burimi kryesor i të hyrave për komunat. Vjelja e tyre është thelbësore për qëndrueshmërinë e tyre financiare. Pagesa e tatimit në pronë nga qytetarët është investim në mirëqenien e tyre. Është thelbësore që ne të kemi një sistem të drejtë dhe efektiv, të cilin për momentin nuk e kemi”.

Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Ministria e Financave dhe Komunat, përmirësojnë qasjen e tyre në raport me zbatimin dhe mbarëvajtjen e këtij sistemi. Përmirësimi i mangësive të identifikuara, dukshëm mund të ndihmoj në qëndrueshmërinë e sistemit.

Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU