Situata e sigurisë në Ferizaj mbetet e qetë

FerizajPostuar: 12:02 / 17.11.2017

Anëtaret e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Komunën e Ferizajt kanë mbajtur mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje u diskutuan shumë çështje, por ajo kryesorja ishte situata e sigurisë me ç’rast u tha se situata e sigurisë është e qetë dhe e sigurte, raporton InfoKomuna.

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, në këtë mbledhje anëtarët e KKSB-së i njoftoi lidhur me zhvillimet e fundit që kanë ndodhur ne qytetin tonë, ndërsa ka folur edhe për procesin e zgjedhjeve të 19 nëntorit, duke thënë se secili qytetarë duhet të shfrytëzoje të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të qetë dhe pa presione nga askush.

Edhe komandanti i stacionit të policisë në Ferizaj, Qazim Reka, ka thënë se policia e Ferizajt, ka edhe planin operativ për vëzhgimin e zgjedhjeve të datës 19 nëntor. Ai tha se përmes planit operativ do të vëzhgohen të gjitha qendrat e votimit në qytet, por edhe në fshatra.

Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe çështje të shumta të rëndësishme për qytetin e Ferizajt. Kjo ishte mbledhja e fundit në këtë përbërje, ndërsa kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka falënderuar të gjithë anëtarët e KKSB-së, për bashkëpunimin e mirë që kanë pasur gjatë këtyre katër viteve./InfoKomuna/