Skenderaj krijon lehtësira për kompanitë që hapin vende të reja të punës

SkënderajPostuar: 15:22 / 28.07.2017

Në sancën e muajit korrik që është mbajtur sot, Kuvendi komunal Skenderajt me propozim të Nënkryetarit të Komunës së Skenderajt Fadil Nura, ka marrë vendim që ta lirojë nga taksa për leje ndërtimore një kompani vendore që do të fillojë ndërtimin e fabrikës për prodhimin e dyerve dhe dritareve.

Në prezentimin e propozimit të tij Nënkryetari Nura ka thënë se Komuna e Skenderajt po angazhohet fuqishëm që t’i përkrahë kompanitë vendore dhe të huaja që kanë për qëllim prodhimin dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Ai po ashtu tha se kërkesa për lirim nga taksa për leje ndërtimi vie nga kompania “Xani Dekor” e cila po planifikon hapjen e një fabrike për prodhimin e dyerve dhe dritareve dhe rrjedhimisht hapjen e rreth 30 vendeve të reja të punës.

“Me lehtësirat që ne po krijojmë po ju mundësojmë kompanive prodhuese të huaja dhe vendore që të hapin vende të reja punës, proces ky që ndikon në zhvillimin ekonomik të Skenderajt. Edhe në të kaluarën bashkë me ju si anëtarë të Kuvendit ne kemi ofruar lehtësira për investime në Skenderaj dhe këtë do ta bëjmë edhe në të ardhmen”, tha në seancën e Kuvendit z.Nura.

Propzimi i z. Nura është pritur mire dhe është miratuar nga anëtarët e Kuvendit, të cilët janë pajtuar që në rastet e hapjes së vendeve të reja të punës Komuna e Skenderaj të krijojë lehtësira të nevojshme, siç është lirimi nga taksa për leje ndërtimore.

Nuk është hera e parë që Komuna e Skenderajt ka krijuar lehtësira për kompanitë prodhuese të huaja dhe vendore. Njejtë ka vepruar edhe me fabrikën e përpunimit të mishit në Polac që është në fazën finale të ndërtimit të objektit, madje kësaj fabrike Komuna i ka siguruar edhe pronën dhe infrastrukturën tjetër të nevojshme./InfoKomuna/