Komuna e Suharekës me masa të shtuara për sigurinë në shkolla

SuharekëPostuar: 14:50 / 17.04.2018

Ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Komunën e Suharekës, ku brenda disa ditësh kanë humbur jetën 4 persona, ka shtyrë institucionet komunale, posaçërisht kryetarin e Komunës, Bali Muharremaj, që të thërras takim urgjent të KKSB-së (Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi). Në këtë takim ishte prezent edhe zv.ministri i drejtësisë Naim Qelaj.

Kryetari Muharremaj, si kryesues i takimit ka ftuar të gjithë të pranishmit të japin kontributin e tyre rreth përmirësimit të kësaj situate.

“Përdorimi i dhunës në Komunën tonë është njëri nga shqetësimet kryesore. Të gjithë që kanë aftësi dhe aspekt organizativ në komunitet mund të luajnë një rol të rëndësishëm si akter të ndryshëm. Në komunitet duhet të koordinohemi me institucionet lokale në mënyrë që të jemi në gjendje të organizohemi sa më mirë dhe sa më efektshëm”, ka thënë ndër të tjera kryetari Muharremaj.

Ndërsa zv.ministri i drejtësisë Naim Qelaj, ka thënë se "kam ardhur këtu me vullnetin tim, si qytetar i këtij rajoni, si prind dhe si pjesë e juaja...momentin që do të kthehem në Prishtinë do të kërkojë nga ministri që të fillojmë një fushatë senzibilizuese – vetëdijesuese për qytetarë, sidomos për përdorimin e armëve dhe mjeteve tjera të rrezikshme, nga fëmijët dhe të rriturit".

Pas diskutimeve të shumta nga të pranishmit janë marrë këto rekomandime:

Policia me qenë prezent më shpesh në patrollime në rrugë dhe në stacionin e autobusëve nga ora 12.30-14.30 dhe 18.30-19.30;

Bashkëpunimi më i madh në mes të policisë, mediave dhe shoqërisë civile;

DKA (Drejtoria Komunale e Arsimit) me qenë më aktive në këtë fushë, dhe të bisedojë më shpesh me mësimdhënës dhe prindër. /InfoKomuna/