Mbahet takimi me Këshillin e Eksperteve në nivel komunal për Planifikim Hapsinor

SuharekëPostuar: 15:57 / 17.04.2018

Drejtoria për Urbanizmit dhe Planifikim në vazhdën e takimeve informuese dhe punuese që po i mban rreth Planit Zhvillimor Komunal të Komunës së Suharekës, sot mbajti takimin e parë informues me Këshillin e Eksperteve Komunal për Planifikim.

Takimin e hapi nënkryetarja e Komunës Mihrije Suka e cila fillimisht ka përshëndetur të pranishmit dhe ka kërkuar nga KEPH një bashkëpunim të mirë.

Kurse drejtoresha për Urbanizëm dhe Planifikim, Sanie Kuçi, shkurtimisht ka informuar rreth procesit të planifikimit të Planit Zhvillimor Komunal dhe fazat në të cilat ka arritur ky proces deri me tani.

Kompania konsulente INSI nga ana e saj prezantoi punën e deritanishme të grupeve punuese në nivel komunal si dhe hapat që do të merren në vazhdim.

Këshilli i Eksperteve ka përcjell deri tash proceset planifikuese në Komunë dhe falë punës së palodhshme dhe kontributit të dhënë nga ana e tyre si dhe në bashkëpunim me stafin komunal dhe të gjitha grupet shoqërore, planet zhvillimore dhe rregulluese janë vlerësuar lart nga njohësit e kësaj fushe.

Nga ana e KE unanimisht u shpreh një gatishmëri e lartë që të përcjellin edhe këtë proces zhvillimor me besimin se Komuna në të ardhmen e afërt do ta ketë një plan të përkryer, lehtë të zbatueshëm e që është në interes të përgjithshëm. /InfoKomuna/