Suharekë, paralajmërohen masa për sigurinë në shkolla

SuharekëPostuar: 13:11 / 18.01.2018

Është mbajtur takimi i parë i sigurisë lokale i qeverisjes së re në Suharekë, i kryesuar nga kryetari Bali Muharremaj.

Kryetari ka folur për masat që do të ndërmerr komuna sa i përket sigurisë, me theks në shkolla, transmeton InfoKomuna.

“Do të shtohen masat e sigurisë përreth ambienteve në shkolla, në fshatra si dhe do të kërkojmë nga policia të jenë më syqelë sa i përket rasteve të vjedhjeve”, ka thënë kryetari dhe më pas fjalën ia ka dhënë kapitenit të policisë Milazim Lumi, komandant i stacionit policor në Suharekë.

Lumi fillimisht ka elaboruar për tre-katër vitet e fundit gjendjen e sigurisë në Komunë ku ka thënë se ka përmirësime, duke theksuar rënie të numrit të vjedhjeve krahasuar me vitet e kaluara. 

Ai theksoi se 107 rasteve të vjedhjeve të rënda gjatë vitit 2016 në vitin 2017 ka pasë 81 raste. Rënie ka edhe në numrin e aksidenteve.

Më pas komandanti i policisë ka raportuar edhe për rastet që kanë ndodhur gjatë javës si: 5 aksidente trafiku, 3 dëmtime të pronës, 1 gjetje e mjetit të pashpërthyer, 1 zjarrëvënje, 4 vjedhje të rënda 1 lëndim trupor, 1 tentim vetëvrasjeje dhe 1 kanosje dhunë familjare.

Ai gjithashtu ka thënë se po zhvillohet aksioni “Stop drogës në shkolla”, ku pjesëtarë të policisë në rroba civile janë prezentë përreth shkollave. /InfoKomuna/