Tahiri: Projektligji për Qeverinë është pothuajse gati

Postuar: 14:18 / 17.05.2018

Kryesues i Komisionit për hartimin e Projektligjit për Qeverinë,Besnik Tahiri, në një konferencë për media pas takimit të parë të Komisionit për hartimin e Projektligjit për Qeverinë tha se ky ligj është pothuajse gati ku edhe u diskutua mes anëtarëve të komisionit me qëllim që ligji të jetë i plotë.

Tahiri tha se përmes këtij ligj dhe tri ligjeve tjera do të arrihet një kornizë ligjore që rregullon punën e administratës së shtetit.

“Ky ligj bashkë me tri tjera si ligji që rregullon Administratën publike, Ligji për funksionin publik dhe Ligji për pagat janë kornizat e një administrate të rregullt ku me këtë arrihet një kornizë ligjore që e rregullon punën e administratës së shtetit”, ka thënë ai.

Tahiri tha se këtij koncept dokumenti duhet t’i paraprijë një analizë para se të dërgohet në qeveri e parlament.

“Ajo çka u dakorduam sot është që ky proces t’i nënshtrohet një konsultimi të gjerë të ekspertëve të organizatave që merren me këtë temë, t’i paraprijë koncept dokumentit një analize. Ky ligj nuk përcakton vetëm numrin e ministrive por po ashtu përcakton aspektet që lidhen me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, që lidhen me përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien, transparencë dhe efektshmërinë e një qeverie. Pra duhet t’i paraprijmë një analize dhe pastaj ta dërgojmë tek qeveria dhe parlamenti”, ka thënë Tahiri.

Ai po ashtu tha se është gabim të flitet për një datë se kur mund të përfundoj ky proces, pasi puna e këtij procesi e përcakton datën dhe jo e kundërta.

Tahiri foli gjithashtu edhe për pagat në sektorin publik, ku tha se Ligji për qeverinë nuk e rregullon sektorin e pagave ne vend.