Vazhdon zgjerimi ilegal në objektet e banimit kolektiv në Prizren

PrizrenPostuar: 12:45 / 11.02.2018

Fenomenit të zgjerimit ilegal dhe të rrezikshëm të hapësirave të banimit në objektet kolektive banesore nuk i janë shmangur as qytetarët e Prizrenit.

Në rrjetet sociale kanë filluar të qarkullojnë imazhe të banesave teksa po shtohen aneks ndërtime.

Një e tillë është edhe në lagjen më të madhe në Kosovë, Ortakoll, ku shihet se si janë vendosur skelet afër objektit banesor.

Në këtë ndërtesë tashmë kanë ndodhur rastet e aneksve -shtimit të ballkoneve edhe në të kaluarën, çka mund të vërehet edhe në fotografinë e postuar më poshtë.

Ndryshe, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, gjatë fushatës për të parin e qytetit kishte premtuar se nuk do të lejohet prishja e imazhit të qytetit me mbindërtime. /Telegrafi/