Veseli: PDK ka fituar në Skenderaj, në Shtime ka në balotazh dy kandidatët e saj

Postuar: 23:42 / 22.10.2017

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli në konferencë për media ka thënë se PDK-ja ka fituar pa balotazh në dy komuna, Skenderaj e Drenas, përkundër që në komunën e Skenderajt fitues është kandidati i pavarur Bekim Jashari.

Ndërsa në komunën e Shtimes ka thënë se në balotazh janë dy kandidatët e PDK-së, “ai 100 për qind i PDK-së, si dhe ish-nënkryetari i partisë”, që në këto zgjedhje ka garuar si kandidat i pavarur, transmeton Koha.net.

“Jemi të parët, po udhëheqim në komunat më të mëdha të Kosovës. Prijmë në qytetin e bukur, Prizren, në qytetin më industrial, Mitrovicë, qytetin e ndërmarrësisë Ferizajn, pastaj në qytetin e lashtë, Vushtrri, Klinë, Kaçanik, Shtime, në të cilën i kemi dy kandidatë – kandidatin e PDK-së dhe ish-nënkryetarin e PDK-së që tani është në balotazh, garojmë në Rahovec ku do të fitojmë bindshëm, Malishevë, e Dragash gjithsesi do të fitojmë. Dy i kemi fituar pa balotazh Skenderajn edhe Drenasin. Falënderoj të gjithë qytetarët për besimin e dhënë PDK-së”, ka thënë Veseli.