Dy fshatra të Vitisë kërkojnë funksionalizim ujësjellësi dhe kanalizimi

VitiPostuar: 11:22 / 26.12.2017

Banorët e fshatit Skifteraj dhe Goshicë të Vitisë përballen me probleme infrastrukture.Ata theksojnë se mosfunksionalizimi i ujësjellësit dhe i kanalizimit i shqetëson shumë banorët, sidomos rreziku nga derdhja e ujërave të zeza në përroskën e fshatit.

Por 2 mijë e 500 banorët, të cilët jetojnë në këtë fshat, sa i përket sistemit të ujësjellësit, ishin ata që s’ kishin pranuar të vendosnin ujëmatësit, duke bërë që të mos përfundonte ujësjellësi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Demush Sadiku, kryetar i këtij fshatit deklaron, ndërkaq se edhe ujërat e zeza janë problem në këtë fshat. Janë edhe një pjesë e pusetave të mbyllura, meqë janë hedhur mbeturina nga banorët.

“Kemi bërë kërkesë tek organet komunale, mirëpo ato nuk kanë dalë që të inspektonin dhe të merrnin masa ndëshkuese ndaj atyre, të cilët shkaktojnë ndotje”, thotë Sadiku. Pastaj ai thekson se ka marrë premtime nga organet komunale se funksionalizimi i ujësjellësit dhe i kanalizimit do të kryhen vitin e ardhshëm .

Për kanalizimin ai thotë: “Kanalizimi është jofunksional, sepse nuk grumbullohen ujërat e zeza në krejt rrjetin siç ishte paraparë. Një pjesë është përfunduar dhe një pjesë ka mbetur në gjysmë. Janë 4 vende ku rrjedhin ujërat e zeza jashtë shtratit të përroskës. Rrjeti është shtrirë përgjatë gjithë fshatit dhe është duke u ndërtuar një lagje e re, ku banorët nuk janë lidhur. Ata duhet të lidhen në rrjetin kryesor. Komunarët kanë deklaruar se do të investojnë vitin e ardhshëm. Mbetet të shohim”, thotë Sadiku, i cili përmend edhe shembuj se si Komuna nuk është duke marrë masa ndaj atyre, të cilët ndotin dhe mbyllin pusetat.