Nënshkruhet Pakti Territorial i Punësimit mes komunës së Vitisë, ADC-së dhe UNDP-së

VitiPostuar: 13:33 / 15.09.2017

Komuna e Vitisë ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me Korporatën austriake për zhvillim dhe UNDP, që ka të bëjë me promovimin e pjesëmarrjes në tregun e punës dhe përfshirjen sociale të individëve të cenueshëm në komunën e Vitisë, transmeton InfoKomuna.

Koordinatorja e këtij Projekti nga UNDP Valbona Bogujevci , ka thënë se me këtë nënshkrim, po fillojmë me zhvillimin e bashkëpunimit me komunën e Vitisë, pas suksesit që kemi pasur me dy komunat tjera, pjesë e këtij projekti.

Ky dokument është rezultat i punës së bashkërenduar të shumë njerëzve në Komunën e Vitisë, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve që jetojnë në Komunë. Të gjithë ata kanë marrë pjesë në përgatitjen e këtij Pakti Territorial për Punësim (PTP) dhe kanë dhënë informacion të vlefshëm për sfidat, shqetësimet e përbashkëta dhe perspektivat për intervenime për të gjeneruar dhe formalizuar punësimin në komunitet, si një mjet për përmirësimin e kushteve të jetesës brenda territorit.

Ndërsa Arsim Aziri nga Ambasada austriake , ka theksuar se besojmë në rezultate të mira , pasi që projekti është implementuar me sukses në komunat Shtërpcë dhe Dragash. Kurse kryetari I komunës së Vitisë Sokol Haliti, është shprehur falënderues ndaj gjithë atyre që kanë qenë pjesë e këtij projekti. “Ne kemi dashur këtë projekt, e kemi dashur këtë bashkëpunim, andaj normal se presim edhe rezultate të mira. Si Institucione lokale kemi qenë vazhdimisht të përkushtuar në punësimin e grave dhe të rinjve. Këto projekte po na mundësojnë që të arrijmë synimet tona, me që dihet se buxheti I komunës nuk është i mjaftueshëm, por falë këtyre bashkëpunimeve si ky me ADAN austriake, UNDP, etj ne po arrijmë të gjenerojmë mundësi punësimi”, ka thënë Haliti.

Implementimi i projektit PTP për Komunën e Vitisë financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC), Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komuna e Vitisë, në kuadër të projektit Zhvillimi i Integruar Territorial 2017-2020 (InTerDev 2)./InfoKomuna/