Vitia mbetet me vetëm një çerdhe që mund të pranojë 70 fëmijë

VitiPostuar: 10:38 / 22.10.2018

"Gëzimi ynë" është e vetmja çerdhe publike në komunën e Vitisë. Për këtë vit janë regjistruar 70 fëmijë, pasi objekti nuk ka kapacitet për më shumë.

Këtu pranohen kryesisht fëmijët që i kanë të dy prindërit të punësuar, raporton KTV.

Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Fatbardha Emini, mos hapjen e një çerdheje tjetër e arsyeton me faktin se Ministria e Arsimit nuk po ua lejon rritjen e numrit të edukatoreve.

Mirëpo, për ta zbutur gjendjen, Emini ka treguar se për vitin e ardhshëm po planifikojnë që objektin e shkollës së fshatit Çifllak ta shndërrojnë në çerdhe publike, pasi këtu vijojnë mësimin vetëm 3 nxënës.

E, zyrtarë të Ministrisë nuk kanë kthyer përgjigje nëse do ta ndryshojnë Udhëzimin Administrativ, sipas të cilit për 21.3 nxënës, pranohet vetëm 1 mësimdhënës.

Kurse, kryetari i degës së PDK-së në Viti, Bekim Azizi, parti që është në opozitë në këtë qytet, fajin ua hedh udhëheqësve komunalë e jo Ministrisë së Arsimit.

Zyrtari i PDK-së ka shtuar se mundësia për regjistrim në çerdhe duhet t’u ofrohet edhe fëmijëve të prindërve të papunë, sepse edhe atyre u duhet socializimi.