Tahiri informon ambasadorin Braathu për zhvillimin e Vushtrrisë

VushtrriPostuar: 09:41 / 25.05.2018

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Ian Brathu ka qëndruar sot në qytetin e Vushtrrisë ku është pritur nga kryetari i komunës, Xhafer Tahiri dhe drejtuesit tjerë të komunës.

Drejtuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Braathu ka vlerësuar shumë të rëndësishme transparencën e Komunës së Vushtrrisë në përgjithësi, që komuna të jetë më e hapur në punën e saj dhe t'i shërbej sa më mirë qytetarëve të saj.

"Në bazë të monitorimeve nga ekipet e OSBE-së, Vushtrria është ndër komunat lidere në Kosovë për sa i përket transparencës, si në fushën e publikimit të dokumenteve dhe në aspektin e buxhetimit, që është një segment shumë i rëndësishëm për një institucion të besueshëm te qytetarët. Prandaj OSBE është e interesuar të përkrah dhe ndihmojë me projekte forcimin e Komunës së Vushtrrisë dhe institucioneve të saja", tha Braathu.

Nga ana tjetër kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, e ka informuar ambasadorin e OSBE-së për zhvillimet në Vushtrri, e me theks të veçantë në përpjekjet që po bëjnë institucionet komunale në krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik dhe krijimit të kushteve për investitorë.

Tahiri po ashtu ka falënderuar ambasadorin Brathu, i cili edhe në të kaluarën në cilësinë e ambasadorit të Norvegjisë në Kosovë ka ofruar mbështetje të çmuar për Vushtrrinë dhe qytetarët e sajë.

Në këtë takim është folur edhe për barazinë gjinore dhe përkrahjen e grave, përfaqësimit të serbëve në institucionet lokale në Vushtrri, si dhe për shërbimet që u ofrohen qytetarëve.