Vushtrria përkujton masakrën e Studimes

VushtrriPostuar: 15:38 / 02.05.2018

Në fshatin Studime të Vushtrrisë sot janë përkujtuar mbi 100 shqiptarë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës para 19 vitesh.

Në nderim të të rënëve përveç familjarëve dhe qytetarëve të shumtë, në këtë Akademi të mbajtur nën patronazhin e kryetarit të Komunës, Xhafer Tahiri,  kanë marrë pjesë edhe përfaqësues politik dhe institucional qendror dhe lokal si kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Duke u lidhur me bisedimet për Kosovën që po zhvillohen në Bruksel, kryeministri Haradinaj tha se Kosovës po i kërkohet të bëjë kompromise, por të rënë në Studime tregojnë se Kosova ka dhënë shumë për lirinë dhe pavarësinë e saj.

Sot në 19 vjetorin e kësaj masakre të tmerrshme që bënë forcat serbe, nga kjo akademi kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka kërkuar që institucionet e drejtësisë vendore e ndërkombëtare të zbardhin rastin e Studimes.

“Të gjithë i njohin dhe I dinë kush ishin komandantet e ushtrisë e të policisë në atë kohë në Vushtrri, që nëse për asgjë tjetër duhet të gjykohen nga drejtësia për përgjegjësinë komanduese që kishin. Sot nga ky vend i larë me gjak i bëjmë thirrje që drejtësia në Kosovë, vendore a ndërkombëtare të zbardhë masakrën në Studime dhe urdhërdhënësit e ekzekutorët e saj të marrin dënimin e merituar”, ka deklaruar kreu i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Ndërsa në emër të familjarëve të të rënëve ka folur Latif Gërxhaliu, i cili nga institucionet, ka kërkuar që të bëjnë më shumë që kryesit e krimeve të dalin para drejtësisë. /InfoKomuna/