Murati: ‘Trepça’ shpëtoi nga falimentimi

Postuar: 12:15 / 08.10.2016

Ministri i Diasporës, Valon Murati, ka shprehur se ishte i domosdoshëm të miratohej ligji për ta shpëtuar “Trepçën” nga falimentimi. Sipas tij, pas miratimit të ligjit është radha e përdorimit të këtij burimi për zhvillimin e vendit.

“Ligji për ‘Trepçën’, i miratuar sot herët nga Kuvendi i Kosovës, ishte një domosdoshmëri për ta shpëtuar ‘Trepçën’ nga likuidimi dhe për t’i krijuar kushtet për ta shndërruar atë nga barra ekonomike dhe politike në një burim zhvillimi për vendin”, ka thënë kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati.

Ai e ka përgëzuar kolegun partiak deputetin e LB-së, Raif Qela, për punën që ka bërë në Komisionin për Zhvillim Ekonomik gjatë trajtimit dhe amendimit të ligjit. “Krenar për punën që ka bërë deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Raif Qela, në fushën e presionit publik, që ligji të vijë sa më parë në Kuvend ashtu, por me edhe punën që ka bërë në Komisionin për Zhvillim Ekonomik gjatë trajtimit dhe amendamentimit të ligjit”, ka shkruar Murati në llogarinë e vet në “Facebook”.