Një prolog mbi diskutimin rreth “Trepçës”

Postuar: 10:45 / 13.06.2016

Vështrim telegrafik mbi asetin më të përfolur kosovar

-1-

Në fillim të këtij shkrimi dua t’i bëj të qarta disa shtylla, që – për mendimin tim – duhet të rrumbullakojnë diskutimin rreth “Trepçës”. E para, dhe më e rëndësishmja, se miti i shpëtimit ekonomik të Kosovës nga rifunksionalizimi i “Trepçës” nuk është i saktë. Pra ekonomia kosovare nuk do të shpëtojë e as nuk do të rilindë me rilindjen e “Trepçës”. Sepse “Trepça” e as një ndërmarrje tjetër shoqërore e publike që kemi në vend nuk ka potencë për të adresuar më shumë se dy-tre mijë punëtorë në secilin skenar të mundshëm rifunksionalizues. Kosova, që të mos harrojmë, çdo vit, secilin vit, i shton si të papunë të rinj nga tridhjetë e kusur mijë sish.

E dyta, po aq e rëndësishme, siç argumenton shpesh miku im, Alban Hashani, se “Trepça”, në secilën llogaritje kontabël, është biznes – dhe këtu mund të nisë sentimenti – i falimentuar. Ekzistenca e saj është e mundshme vetëm falë subvencioneve financiare, në formë borxhi, që Qeveria e Kosovës i jep për pagat e punëtorëve atje. Ky borxh ka arritur në plot 100 milionë euro. Këto mjete do të shtohen sa më shumë që paarsyeshëm ne mbajmë gjallë këtë formë operuese të “Trepçës”.

E treta, jo më pak e rëndësishme, se pasuria e njëmendtë e “Trepçës” nuk qëndron në teknologjinë (e vjetërsuar ose jo ka pak rëndësi) që shërben për nxjerrjen e mineraleve. Pasuria e njëmendtë e “Trepçës” është mu në minerale – pra nën tokë. Së këndejmi, kur flasim për rifunksionalizimin e asetit, për pronësinë, hisen e shitjen, nuk flasim për transformimin e pasurive nëntokësore, por flasim për pajisjet e mjetet që shërbejnë në shfrytëzimin e këtyre pasurive.

E katërta, gjithmonë aktuale, se secila pasuri shoqërore, në territorin e Republikës së Kosovës, u takon vetëm qytetarëve të Kosovës. Kjo e drejtë – e njohur me Pakon e Ahtisaarit, e inkorporuar më pas në Kushtetutën e Kosovës – është e garantuar sa është e garantuar dhe vetë pavarësia e shtetit tonë. Secili pretendim e sugjerim për diskutim të zgjidhjes për probleme pronësore në Bruksel, pra në përballje me Beogradin, do të thoshte precedent i ri, i rrezikshëm dhe i paarsyeshëm, për gjithçka që ka Kosova sot – nga pasuritë e te pavarësia.

E pesta, dhe e fundit, tregjet ndërkombëtare të mineraleve po shënojnë periudhat më të vështira të 20 viteve të fundit. Pra, për fatin tonë të keq, trendët globalë ndodhën në periudhë të “bust-it”; dhe do të duhen vite shumë para se ato të rikthehen mirë. Thënë këtë, nuk është se para “Trepçës” po na presin investitorët e huaj. Edhe po t’i bëjmë të gjitha punët e detyrat siç duhet, sigurimi i interesimit për investim është kapitull e përpjekje në vete.

-2-

Një vit e gjysmë më parë, rasti i “Trepçës” ishte sjellë në skenë trajtuese në formën më të rëndë të mundshme. Të përballur me afatet në ikje që Agjencia Kosovare e Privatizimit i kishte para vetes, Qeveria e Kosovës kishte vendosur ta transformonte “Trepçën” nga një ndërmarrje shoqërore në ndërmarrje publike. Çfarë Qeveria e Kosovës nuk kishte llogaritur asokohe, ishte se baras me transformimin e aseteve bëhet dhe transformimi i borxheve; dhe se, një ndërmarrje e shndërruar në publike, do të nënkuptonte me automatizëm dhe marrjen përsipër të borxhit.

Në një rast normal diskutues, një Qeveri do të duhej të kishte para vetes informacionet e sakta mbi vërtetësinë e saktësinë e pretendimeve për borxhe. Asokohe pretendimet arrinin në mbi 1.4 miliardë euro.

E gjithë nisma rreth “Trepçës” kishte përfunduar me dy ngjarje pasuese. E para përfshinte intervenimin e Beogradit që, duke pasur informacione të dorës së parë nëpërmjet ministrave serbë në Qeverinë e Kosovës, i kishte paraprirë vendimit publik të kosovarëve për ndërprerje të transformimit – dhe këtë informacion e kishte shndërruar në fitore nacionaliste. E dyta, që në Kosovë, më shumë në mungesë të informimit e saktësisë rreth problemit sesa për bindje, kishin nisur protesta që shpërfaqin edhe sot e kësaj dite lehtësinë e tjetërsimit të sentimentit rreth “Trepçës”.

Asokohe, si përfundim, Parlamenti i Kosovës kishte marrë vendim që për një vit e gjysmë – afat që kalon në vjeshtë të këtij viti – të hartohet një strategji dhe një ligj i veçantë që merret me çështjen e “Trepçës”.

-3-

Nga atëherë deri më sot kanë ndodhur disa aktivitete përcjellëse që do ta formësojnë debatin mbi “Trepçën” në javët e muajt në vijim. Fillimisht, me inicim të komisionit funksional të Kuvendit të Republikës, janë mbledhur informacione të rasteve studimore nga e gjithë bota – mbi format e menaxhimit, mbi kombinimet e pronësisë dhe mbi aspektet tjera juridike, ekonomike e teknologjike. Rastet e përmbledhura përfshijnë miniera në Evropë, Afrikë, Amerikën Latine e Amerikën Veriore. Them se këto raste studimore i japin Kosovës një pasqyrë të mirë orientuese se nga e si duhet të ristrukturojë. Nga çfarë u prezantua këtë javë në një tryezë publike në Kosovë, rasti i përgatitur nga Iraj Hashi – profesor nga Britania e Madhe – mbi kompaninë polake “KGHM Polska Miedz” mund të shërbejë – për bindjet e mia – si model sugjerues për Kosovën. Një kombinim publiko-privat, siç del të jetë atje, mund të jetë një formulë suksesi këndej.

Që nga dimri i vitit të kaluar, AKP-ja ka bërë verifikimin e pretendimeve të borxheve. Një pjesë e këtyre borxheve – pjesa më e madhe madje – kanë dalë të jenë pretendime të punëtorëve. Janë kërkesa qindra milionëshe të individëve që kërkojnë pagat e humbura gjatë gjithë kohës së jofunksionimit. Si përgjigje të këtyre pretendimeve them se është e udhës të mos merret asnjë obligim. Kosova nuk është fajtore për mosmarrjen e pagave nëpër kohë; Kosova nuk ka pse të marrë përsipër dëmet e regjimit të Milosheviqit. Nëse bëjmë një gjë të tillë, do të krijojmë një precedent tjetër për secilën ndërmarrje publike në vend. E nëse, për çfarëdo arsyeje duhet t’i marrim obligimet si këto, atëherë të zgjedhim falimentimin. Me falimentim përfundojnë dhe pretendimet e tilla. Sa për borxhet tjera, ato që vijnë gjatë periudhës kolonizuese të Milosheviqit, Kosova ka të drejtë refuzuese duke u bazuar në parimet diskriminuese dhe mosnjohëse të asaj kohe – e drejtë që është garantuar në Kosovë edhe nga administrata e Kombeve të Bashkuara, por edhe nga Pakoja e Ahtisaarit e Kushtetuta e Republikës.

Këto ditë AKP-ja ka publikuar edhe Termat e referencës për hartimin e Studimit të fizibilitetit për “Trepçën”. Them se ky dokument, që do të duhej të zhvillohej domosdo nga ndonjë entitet ndërkombëtar me eksperiencë në sektorin minerar e biznesor nëpër botë, do të përbëjë dokumentin më të rëndësishëm për Kosovën.

Dhe, jo më pak e rëndësishme, në fund të këtij muaji, pritet të dalë dhe drafti i parë mbi ligjin e “Trepçës”. Është e rëndësishme që ky draft të definojë më shumë shtyllat e qasjes së mëtutjeshme rreth transformimit të asetit atje, e të bëjë – në këtë fazë – sa më pak kufizime të mundshme.

-4-

Përfundimi i “Trepçës” dhe arritja e një zgjidhjeje optimale do të kërkojë mend e ide shumë. Sepse, si në pak transformime të tjera, ky aset kërkon kombinimin e mendjeve më të mira ekonomike, juridike dhe minerare që ka Kosova.

Ekonomike, sepse rasti në fjalë, siç argumentova më lart, është para së gjithash rast biznesor. Pra bëhet fjalë për gjetjen e një strukture të thjeshtë, nisur nga premisat e komplikuara të një ndërmarrjeje që për 27 vjet është jashtë rrjedhave ndërkombëtare – pra për gati tri decenie është pa treg. Përveçse është pa treg, është e amortizuar, me teknologji të vjetruar dhe mund të rifunksionalizohet në një kohë që, siç argumentova, nuk është se sjell investitorë në derë. Duke u nisur nga ky aspekt, pjesa biznesore duhet kujdesshëm që të vërë një balancë në mes të pronësisë publike dhe asaj private. Publike për të siguruar nisjen e rifunksionalizimit të asetit në një kohë jo të përshtatshme; private për të sjellë fonde e para që Kosova nuk i ka. Edhe po t’i ketë, ka një mijë e një vende tjera që duhet t’i investojë më parë.

Juridike, sepse formati i ri do të kërkojë pastrimin e borxheve të vjetra, ndarjet me pretenduesit e shumtë; e mbi të gjitha, riorganizimin më të mirë, por më pak të kushtueshëm. Pra, Kosova duhet të zgjedhë çfarë transformon e çfarë falimenton. Aty ku borxhet janë më të mëdha se asetet, vetëm falimentimi (dhe natyrisht rinisja po qe e nevojshme) është zgjidhje e duhur. Përveç kësaj disa pjesë e asete – si për shembull stadiumi në pronësi të “Trepçës” – duhet të trajtohen ndaras nga asetet që bëjnë biznesin kryesor të “Trepçës”. Është e pakuptimshme që të vazhdohet me modelin juridik të ish-Jugosllavisë në vitin 2017.

Minerare, sepse, siç dhe argumenton shpesh miku im, Luan Shllaku, organizimet e ardhshme të minierave e njësive tjera përcjellëse, duhet të marrin parasysh jo vetëm përparësitë krahasuese që lokacione të ndryshme kanë, por edhe ecjet e trendët e fundit teknologjike që japin zgjidhje kreative e efikase për mineralet që nuk janë trajtuar më parë.

Për të gjitha këto na pret një kohë e shkurtër e diskutimeve të gjata. Për hir të interesave ekonomike të Kosovës, gjithmonë duke pasur parasysh dhe devijimet etnike që ky aset mund t’i ketë, është imperativ që – së paku për këtë temë – t’i bëjmë bashkë gjithë forcat e mendjet; për të përfunduar me një zgjidhje tërësisht praktike e tërësisht profesionale – të qëndrueshme gjithsesi./Koha.net/

(Lumir Abdixhiku)