Teuta Matoshi Duriqi me koleksion të ri “Festo me TMD”

Postuar: 13:08 / 10.01.2016

Me shumë ngjyra, stil dhe shije, erdhën kreacionet e fundit të disenjatores Teuta Matoshi Duriqi. Ky koleksion ishte si dhuratë për të gjithë dashamirët e brendit të saj, për festat e fundvitit.

“Festo me TMD”, mban titullin koleksioni, i cili u publikua në ditët e fundit të 2015-ës.

Të punuara me shumë përkushtim, puna për realizimin e këtyre fustaneve kishte nisur kohë më parë, pavarësisht punës së madhe që kishte kreatorja kosovare gjatë fundit të vitit, raporton emisioni Express në KTV.

Njëjtë si të gjitha koleksionet e mëparshme, edhe ky i fundit ishte shumë i veçantë, me modele e ngjyra të ndryshme, por duke mos lënë anash asnjëherë punën e dorës, e cila edhe i veçon krijimet e Teutës.

Prezantimi i këtij koleksioni u bë përmes një foto sesioni, i cili u realizua në disa lokacione të ndryshme. Teutën e kemi parë të bashkëpunojë me fotografë të njohur, sa i përket foto sesioneve që ka realizuar, por kësaj radhe ajo e ka një bashkëpunëtore të re.

Ndërsa sa u përket modeleve me të cilat ka bashkëpunuar në koleksionin “Festo me TMD”, disenjatorja e veçon Diana Avdiun, bashkëpunim ky që rrjedh nga disa koleksione të mëparshme.

Ndryshe, këtë vit brendi TMD vjen me një tjetër risi, veçanërisht për ato vajza qe preferojnë të duken më unike.

Por jo vetëm kjo do ta karakterizojë vitin 2016, pasi siç dihet, ajo është një ndër kreatoret kosovare me më së shumti ide dhe risi.

Të gjitha fustanet e markës “Festo me TMD” janë tashmë në shitje, e puna për Matoshi-Duriqin nuk ka të ndalur. /Koha