Banorë të 18 fshatrave në Tropojë përfitojnë furnizim pa ndërprerje me ujë

Postuar: 10:58 / 25.04.2018

Banorë të 18 fshatrave në Bashkinë e Tropojës do të përfitojnë furnizim pa ndërprerje me ujë.Falë investimit të qeverisë shqiptare, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka gati projektin për rikonstruksionin e dy ujësjellësve.

Fondi Shqiptar Zhvillimit zhvilloi këto ditë konsultime mbi projektin teknik me komunitetin e Njësive Administrative Tropojë dhe Llugaj, shkruan ATSH.

Rreth 5,300 banorë do të përfitojnë drejtpërdrejt nga ky investim që parashikon furnizimin 24 orë me ujë higjienikisht të pastër nëpërmjet rënies së lirë nga burimet e Valbonës dhe Perlinat e Bardhat.

Kjo mënyrë furnizimi jo vetëm është miqësore me natyrën, por ul edhe kostot e furnizimit me ujë të pijshëm. Investimi do të shtrihet në fshatrat Astë, Tropojë Fshat, Kuçana, Myhejan, Kasaj, Viçidol, Mejdan, Kojel-Shpat dhe Fushë, Shumicë, Babinë, Begaj në Nj. A. Tropojë dhe Rrogam, Cërnicë, Dunishë, Bukovë dhe Llugaj në Nj. A. Llugaj.

Ujësjellësit në Njësitë Administrative Tropojë dhe Llugaj do të realizohen në kuadër të programit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale III” (RSW III), që zbatohet nga FSHZH dhe financohet nga qeveria shqiptare, Bashkëpunimi Gjerman, KfW dhe fondet IPA. Programi ka një financim total prej rreth 39 mln eurosh dhe parashikon ndërtimin e skemave të ujësjellësve në disa të vendit.