Bashkia e Tiranës vendos sinjalistikë të re për ndarje korsish në hyrje të Kombinatit

Postuar: 11:28 / 13.09.2017

Gjithnjë e më shumë rrugët e kryeqytetit po pësojnë një ndryshim rrënjësor, jo vetëm sa i takon shtrimit me asfalt dhe ndërtimit të trotuareve, por në të njëjtën kohë edhe plotësimit me të gjithë sinjalistikën e nevojshme për të rritur sigurinë e drejtuesve të automjeteve dhe të këmbësorëve.

Duke punuar gjatë gjithë orëve të mbrëmjes për të mos penguar dhe qarkullimin e automjeteve gjatë ditës, punonjës të Bashkisë së Tiranës kanë vendosur sinjalistikë të re për ndarje korsish në hyrje te Kombinatit, zonë ku kanë qenë jo të paktat rastet e aksidenteve.

Gjithashtu, është punuar për vijëzimet e bardha të cilat pritet të sjellin një ndërgjegjësim edhe më të madh tek qytetarët për respektimin e sinjalistikës rrugore që rrjedhimisht do të thotë kujdesje për sigurinë në rrugë dhe për t’i mbrojtur ata nga aksidentet.

Një ndryshim kaq i rëndësishëm i bërë nga Bashkia e Tiranës edhe në zona të tjera, ka bërë që qytetarët në rrugët e kryeqytetit të ndjehen më të sigurt.