Bora vështirëson qarkullimin në Rrugën e Kombit

Postuar: 11:31 / 18.12.2017

Verilindja u përfshi nga reshje të dendura bore, intensiteti i të cilave arriti kulmin në mëngjes rreth orës 7:30 minuta, por më vonë reshjet janë pakësuar.

Aksi Kukës - Tunel i Kalimashit në Rrugën e Kombit, siç raporton .al, pati probleme menjëherë pas reshjeve. Temperaturat e ulëta ndikuan në krijimin e menjëhershëm të ngricave.

Gjashtë borëpastruese nisën menjëherë nga puna për pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës. Drejtuesve të mjeteve u është dashur të përdorin pajisjet dimërore e të tregojnë kujdes gjatë udhëtimit.

Në qytet trashësia e borës mbeti e papërfillshme dy deri në tre cm ndërsa në lartësitë mbi 500 metër ata kaluan 10 centimetra. Reshje të dendura bore edhe në Peshkopi e dhe Bulqizë.

Në qytet trashësia arriti deri në 10 cm, kurse në zona të thella si Lura dhe Kalaja e Dodës mbi 40 cm. Rrugët kombëtare janë të kalueshme por rrugët Peshkopi – Kukës dhe Peshkopi – Librazhd kalohen me zinxhirë. Në Bulqizë gjatë natës ka patur ngricë dhe borë e rrugët ishin pothuajse të pakalueshme, por në mëngjes kompania e mirëmbajtjes ka hedhur kripë.