KESH: 17.7 miliardë lekë më pak borxhe në 2018

Postuar: 11:45 / 26.09.2018

“Mirëmenaxhimi dhe profesionalizmi bënë të mundur përmirësimin drastik të treguesve ekonomiko-financiar të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, duke ulur me 17.7 miliardë lekë (140 milionë euro) më pak borxhe në vitin 2018″.

Kështu deklaroi sot ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri duke prezantuar në një video arritjet e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare gjatë 5 viteve 2013-2018.

Sipas shifrave të publikuara nga Gjiknuri, huatë afatshkurtra (OD) në 2014 ishin 36.2 miliardë lekë, në 2018 19.2 milionë lekë, pra 46% më pak; Shpenzimet për interesa kredie në 2014 ishin 2 miliardë lekë, në 2018 1 miliardë lekë, 50% më pak; Detyrimet fiskale të mbetura në 2014 ishin 10.5 miliardë lekë në 2018 ishin 2.7 miliardë lekë, 74.3% më pak”.
KESH sot është financiarisht më i shëndetshëm dhe më i sigurtë në përmbushjen e misionit të tij.

Ristrukturimi i korporatës ka përfshirë ridimensionim të modelit të biznesit të shoqërisë, mirëadministrim të veprimtarisë së shoqërisë, fuqizim të kapaciteteve njerëzore të shoqërisë,ndërgjegjësim për ndikimin social-mjedisor të aktivitetit.

Në fushën e teknologjisë dhe inovacionit është kryer rinovimi teknologjik i instalimeve elektro-mekanike dhe modernizimi i sistemeve të kontrollit, vetërregullimit të mbrojtjes së pajisjeve. Rehabilitimi i digave, impianteve hidroteknike dhe infrastrukturës së aksesit si dhe evadimi i sedimenteve dhe mbrojtja nga erozioni e pellgut të kasakadës.

Sistemet e reja moderne për grumbullimin telemetrik dhe përpunimin analitik të të dhënave energjetike, hidro-meteorologjike dhe topo-gjeodezike.

Aplikimet ‘software’ për automatizimin e proceseve të punës dhe monitorimin e treguesve operacionale, situatës hidro-meteorologjike në basen dhe tregut energjitik rajonal.

Gatishmëria e veprave dhe shfrytëzimi efektiv i prurjeve intensive gjatë gjysmës së parë të vitit 2018 mundësuan sasinë më të madhe të energjisë së gjeneruar ndonjëherë nga kasakada e Drinit, për të njëjtën periudhë. /atsh/